Lidhje

Fushata e zgjedhjeve në Durrës


Të dy koalicionet synojnë të marrin mandatin e tetë duke u mbështetur në projektet e zhvillimit.

Në qytetin e Durrësit fushata për zgjedhjet parlamentare po zhvillohet me të njëjtën ambicje nga të dy koalicionet partiake: të dyja synojnë të marrin mandatin e tetë, për të thelluar rezultatet e viteve të kaluara. Demokratet pohojnë se po takohen me votuesit pasi kanë përmbushur një seri premtimesh, dhe po u shpjegojnë projektet e ardhshme. Ndërsa socialistët e opozitës mendojnë se qeveria e ka bllokuar Durrësin, për të cilin edhe ata kanë projekte të reja zhvillimi. Korrespondenti Ilirian Agolli, ka pergatitur kronikën nga Durresi.


Fushata zgjedhore në Durrës po zhvillohet me ritëm të lartë nga partitë kryesore konkurrente, ndërsa ambicjet e tyre për fitore janë po aq të mëdha. Përfaqësuesit e PD thonë se po zhvillojnë një fushatë kapilare, ku po mirëpriten në çdo shtëpi e lagje me krenarinë se ndërtuan infrastrukturën me rrugë, energji elektrike dhe ujësjellësa për gjithë qarkun, dhe sepse po shkojnë tek njerëzit me projekte të reja zhvillimi për më shumë mirëqenie e punësim.

Listën e deputetëve të PD në Durrës e kryeson Eduard Halimi. Sipas tij, premtimet kryesore të PD për Durrësin gjatë 4 viteve të ardhshme janë punësimi përmes turizmit, sistemimi i plazheve dhe qendrave turistike, zhvillimi përmes arsimit, heqja e taksave 3 vjet për punësimet e reja dhe bizneset e reja, ndërtimi i rrugëve të brendshme të qytetit.

Demokratët thonë se zhvillimi i Durrësit do të ishte akoma më i madh, nëse kryetari socialist i bashkisë nuk do të refuzonte projektet e qeverisë për plazhet dhe rrugët. Por socialistët e opozitës thonë të kundërtën. Sipas tyre, është qeveria ajo që ka bllokuar bashkinë e Durrësit.

Socialistët e opozitës janë po aq entuziastë për fitoren në Durrës, ndërsa shtojnë se PD i ka mbetur veëm presioni ndaj administratës dhe shkollave. Ata thonë se e njohin mirë terrenin qytetar dhe janë të organizuar aq mirë sa që për çdo qendër votimi kanë ngritur një organizatë të tyren bazë.

Sipas kryetarit të PS në Durrës, Alfred Mullaraj, disa nga projektet dhe premtimet socialiste që presin të marrin jetë pas 23 qershorit janë ndërtimi i rrugëve të brendshme të lagjes së kënetës, ndërtimi i një rruge të re hyrëse në qytet, rigjallërimi i qendrës së qytetit, një plazh i ri modern tek currilat dhe ndërtimi i një porti për jahtet.

Durrësi dërgon 13 deputetë në parlament dhe deri tani rezultatet janë të ngushta. Një tjetër veçanti e zgjedhjeve të Durrësit është edhe fakti që dy partitë e mëdha presin të ndihmohen dukshëm nga respektivisht nga dy parti aleate më të vogla. Partia Demokratike pret të thellojë rezultatin me fitoren e një kandidati të Partisë Republikane, ish-ministër bujqësie dhe biznesmen i njohur, ndërsa PS shpreson të fitojë së bashku me një kandidat i LSI, ish kryetar i bashkisë; të dy figura të njohura vendore me ndikim të ndjeshëm në zonë.

Socialistët kujtojnë se në zgjedhjet e fundit fituan 3 mijë e 600 vota më shumë se PD pa LSI, dhe se bashkimi me të do të sjellë një rezultat shumë pozitiv. Ndërsa demokratët tregojnë se si në një zonë morën 5 mijë e 600 vota, por nuk morën dot aty një mandat tjetër deputeti, që mund të vijë këtë vit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG