Lidhje

Zgjedhjet e Serbisë edhe në Kosovë


Në Serbi sot po mbahen zgjedhjet presidenciale, parlamentare e lokale.

Rreth 6.6 milion votues do të zgjedhin 250 deputetë të parlamentit të Serbisë, këshillat e komunave dhe presidentin e ri. Ata duhet të vendosin ndërmjet 12 kandidatëve për presidentë, në mesin e të cilëve me favoritët llogariten presidenti i deritashëm Boris Tadiç, i cii shihet si drejtues i forcave properëndimore dhe kryetari i Partisë Përparimtare serbe Tomislav Nikoliç, i njohur për qëndrimet e tij më radikale.

Kjo është hera e tretë që ata përballen në zgjedhje dhe deri tash Boris Tadiç, kishte fituar me rezultat shumë të ngushtë.

Të dyja kampet ndërkaq, synojnë siç thuhet, politiken edhe Evropa edhe Kosova, me gjithë faktin se Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë se nuk mund të pranojë anëtarësimin e vendeve që kanë probleme të pazgjidhura me fqinjët.

Serbia mori këtë vit statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian pas marrëveshjeve me Prishtinën, përfshirë edhe atë për përfaqësimin rajonal të Kosovës.

Zgjedhjet e sotme në Serbi shihen si një periudhe e përcaktimit ë orientimit të Serbisë në proceset integruese evropiane.

Votimet serbe në Kosovë

Misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë ka hapur sot 90 vendvotime në 28 vende të ndryshme në Kosovë për të mundësuar pjesëmarrjen e banorëve serbë në zgjedhjet presidenciale e parlamentare të Serbisë. Shefi i këtij misioni Ëerner Almhofer tha se me pak vonesa të natyrës teknike, të gjitha vendvotimet janë hapur deri në orën 8 e 15 të mëngjesit dhe votimet po rrjedhin pa probleme.

Përfshirja e OSBE-së në organizimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë, ishte kërkuar nga institucionet e Kosovës, për të mundësuar votimin e qytetarëve serb në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, meqë kjo u garantohet me parimin e dyshtetësisë, që është i përfshirë në Kushtetutën e Kosovës.

Beogradi zyrtar vendosi të heqë dorë nga synimi për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, meqë nuk ka siguruar as mbështetjen e mekanizmave ndërkombëtarë, por ky qëndrim është sfiduar nga përfaqësuesit politikë të serbëve në veriun e Kosovës, të cilët sot kanë organizuar zgjedhje për pushtetin lokal në dy komuna veriore, Zveçan dhe Zubin Potok.

Por, votimi për këto zgjedhje që janë cilësuar të paligjshme nga Prishtina zyrtare dhe mekanizmat ndërkombëtarë po zhvillohen ndarazi nga ato të organizuara nga OSBE-ja.
Mekanizmat vendas e ndërkombëtarë kanë shtuar masat e sigurisë për të ruajtur një mjedis të qetë gjatë votimeve të sotme, të cilat deri tash kanë kaluar pa ndonjë incident.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG