Lidhje

Evropianët ndjekin me interes zgjedhjet në SHBA


Evropianët po i ndjekin ditët e fundit të fushatës presidenciale në Shtetet e Bashkuara me interes, të shqetësuar se si mund të ndikojë rezultati tek çështjet globale. Evropianët nuk votojnë në zgjedhjet amerikane, por si të gjithë njerëzit në botë, rezultati i tyre ka ndikim për ta. Që nga çështjet ekonomike, deri tek Irani dhe lufta në Afganistan, e ardhmja e Evropës është shumë e lidhur me atë të Shteteve të Bashkuara. Dhe dy kandidatët presidenciale duket se kanë dy pikëpamje shumë të ndryshme për kontinentin.

“Mendoj se Presidenti do të na kthejë në një shtet ndihmash sociale si Evropa. Ai model nuk ka funksionuar askund në botë,” shprehet kandidati republikan Mitt Romney.

“Çdo hap nxjerr në pah faktin se Evropa po shkon gjithnjë e më shumë drejt integrimit, jo shpërbërjes dhe se këto probleme mund të zgjidhen dhe faktin se themelet e ekonomive evropiane janë të forta,” shprehet Presidenti Barak Obama.
'
Xenia Dormandy e organizatës Chatham House thotë se toni i ndryshëm nuk ka kaluar pa u vënë re në këtë anë të Atlantikut.

“Zoti Romney flet për një Amerikë të fortë, të jashtëzakonshme, një Amerikë që udhëheq. Ai foli për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes. Të gjitha këto shkaktojnë pak nervozizëm tek evropianët. Në të kundërt zotin Obama, do ta quaja një udhëheqës evropian. Ai është shumë i prirur drejt konsensusit. Ai do të punojë në institucione shumëpalëshe, do të bashkëpunojë. Të gjitha këto tipare janë shumë të pëlqyeshme në skenën evropiane”.

Kjo është një nga arsyet që sipas anketave, Evropianët parapëlqejnë presidentin Obama në masën 75 për qind ose më shumë krahasuqar me zotin Romney. Zonja Dormandy thotë se këto pikëpamje kanë kanë një ndikim praktik.

“Është vërtet e rëndësishme. Do t’u jepte lirinë udhëheqësve evropianë të punojnë me zotin Obama në një mënyrë që nuk do të punonin me zotin Romney”.

Ajo thotë se ndjesia është e tillë megjithëse politikat e tyre të jashtme nuk janë shumë të ndryshme.

James Boys i Universitetit King thotë se një gjë e tillë do të jetë e vërtetë edhe për çështje për të cilat guvernatori Romney ka ngritur zërin, përfshirë Iranin, Rusinë dhe Kinën.

“Është e lehtë të thuash ‘unë do t’i bëj gjërat ndryshe’. Historia ka treguar se ka ndryshim të madh mes asaj që thuhet në fushatë, kur kandidatët flasin për ndryshim dhe ndjenjës së vazhdimësisë kur marrin detyrën. Zgjedhjet kanë frenuar disi drejtimin e ardhshëm të politikës së jashtme amerikane. Dhe mendoj se shumë nga ne në Evropë mezi presin të shohin se çfarë do të vijë me vitin e ri, me një administratë të re, qoftë të zotit Romney, apo të Presidentit Obama”.

Se cili kandidat do të fitojë, do të vendoset pas zgjedhjeve të së martës, ndërsa shumë Evropianë do të jenë ende në gjumë. Të mërkurën ata ose do të përballen me një figurë të njohur dhe që përputhet me idetë e tyre, ose dikë pak të njohur, retorika e të cilit ka shkaktuar disa shqetësime fillestare.
XS
SM
MD
LG