Lidhje

Zgjedhjet, marrëveshje PS-LSI


Nga 61 bashki, në 15 prej tyre, koalicioni i majtë do të hyjë në garë me kandidatë të Lëvizjes socialiste për integrim. Brenda muajit emrat e të gjithë kandidatëve

Në Shqipëri dy forcat kryesore të së majtës në pushtet, partia socialiste dhe Lëvizja socialiste për Integrim, ranë sot dakort për t’u paraqitur me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Nga 61 bashki që vendi do të ketë sipas ndarjes së re administrative, 15 do te kenë një kandidat të propozuar nga LSI

“Konkretisht dua të informoj që kemi përcaktuar praktikisht që të presim propozimet si PS, nga LSI për bashkitë: Berat, Lezhë, Gjirokastër, Kukës, Pogradec, Kuçovë, Skrapar, Vorë, Mallakastër, Delvinë, Përrenjas, Selenicë dhe Kolonjë”, deklaroi Kryetari socialist Edi Rama pas takimit.

Formula e re e koalicionit për këto zgjedhje parashikon që çdo njëra nga partitë të ketë të drejtën e propozimit për një numër njësish dhe reciprokisht edhe të drejtën e votës për të dhënë konsensus për kandidatin apo kandidaten e propozuar nga partia tjetër.

Partia socialiste do të vazhdojë bisedimet dhe me parti të tjera, dhe synon që brenda muajit mars të ketë gati edhe listën me emrat e kandidatëve.

Zoti Rama tha se sfida është që të përzgjidhen kandidatë përmes cilësive të besueshme dhe jo përmes flamurit partiak. Edhe kryetari i LSI-së Ilir Meta, duke qëndruar në të njejtën linjë theksoi se “shqetësimi kryesor, është që reforma administrative-territoriale, të kurorëzohet me sukses përmes zgjedhjes së administratorëve më të mirë, të cilët për herë të parë do të kenë mundësi të drejtojnë njësi të reja”, u shpreh zoti Meta.

XS
SM
MD
LG