Lidhje

Zgjedhjet në veriun e Mitrovicës më 23 shkurt


Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, shpalli sot vendimin që zgjedhjet për kryetarin e komunës së veriut të Mitrovicës, të mbahen më 23 shkurt. Në vendimin e saj thuhet se është udhëzuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e këtyre zgjedhjeve në përputhje me ligjet në fuqi. Presidentja Jahjaga u bën thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote, të komunës së veriut të Mitrovicës, që të marrin pjesë në zgjedhjet për kryetarin e komunës, duke shfrytëzuar të drejtën kushtetuese dhe ligjore. Zgjedhjet duhet të jenë të drejta dhe të ndershme që qytetarët të kenë mundësi të zgjedhin në mënyrë të lirë përfaqësuesin e tyre legal e legjitim, thuhet vë vendimin e presidentes Jahjaga.

Zgjedhjet për kryetarin e kësaj komune do të përsëriten, meqë kryetari i zgjedhur në votimet e dhjetorit të vitit që lamë pas, Kërstimir Pantiç, dështoi ditë më parë të japë betimin duke kundërshtuar që, siç tha, t’u nënshtrohet ligjeve të Kosovës.

Ndërkaq, kuvendet komunale të komunave veriore të banuara me shumicë serbe u konstituuan në natën ndërmjet 11 e 12 janarit pas shume debateve rreth dokumenteve të punës. Në fund, deputetët shqiptarë i nënshkruan deklaratat në gjuhën shqipe dhe me simbole të Kosovës, ndërsa deputetët serb i nënshkruan deklaratat në gjuhën serbe dhe me simbolet e Kosovës të mbuluara me letër ngjitëse.

Përfshirja në zgjedhje e komunave veriore që janë skenë e kundërshtimeve më të ashpra ndaj pavarësisë së Kosovës, u bë e mundur me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të arritur ne prill të vitit të kaluar.

Kjo marrëveshje i bëri të mundur Kosovës që të fillojë negociatat për stabilizim asocim me Bashkimin Evropian në tetor të vitit që lamë pas, ndërsa Serbisë, i mundësoi fillimin e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian të cilat pritet të hapen nesër.

Një nga kapitujt e veçantë të negociatave të Serbisë me Bashkimin Evropian është Kosova dhe procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Zyrtarë të lartë serbë thanë se takimi i nesërm ndërqeveritar është hap me rëndësi historike për Serbinë por nuk kanë përjashtuar mundësinë që kushte të reja t’i vihen përballë Beogradit, e që kanë të bëjnë me Kosovën. Kryeministri serb Ivica Daçiç, tha se fundja negociatat me Bashkimin Evropian nuk po nisin pse Serbia ka bërë reforma të mëdha, por për shkak të përparimeve kundruall marrëdhënieve me Kosovën.
XS
SM
MD
LG