Lidhje

Zgjedhjet në Kosovë mund të mbahen më 8 qershor

  • Leonat Shehu

Në Kosovë, udhëheqësit e partive politike janë vënë në përpjekje për të organizuar zgjedhjet e parakohshme parlamentare më tetë qershor të këtij viti. Një mundësi e tillë u diskutua të premten edhe në një takim të presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga me kryeministrin Hashim Thaçi, i cili ka hedhur idenë për këtë datë.

Por, çështja e zgjedhjeve varet nga marrëveshja që mund të arrihet rreth themelimit Forcave të Armatosura të Kosovës. Pakicat kombëtare po kushtëzojnë votimin në favor të këtyre forcave me më shumë përfaqësim në Parlamentin e Kosovës nëpërmjet vendeve të rezervuara.

Vota e deputetëve të pakicave është e domosdoshme, meqë themelimi i Forcave të Armatosura kërkon dy të tretat e votave të deputetëve dhe njëkohësisht dy të tretat e votave të deputetëve nga radhët e pakicave.

Vazhdimi i vendeve të rezervuara për pakicat kundërshtohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Çështja pritet të debatohet të hënën në Parlamentin e Kosovës dhe deri atëherë priten takime të reja të udhëheqësve politikë në kërkim të një kompromisi.
XS
SM
MD
LG