Lidhje

Zgjedhjet në Amerikë: Sistemi i financimit të fushatave


Zgjedhjet në Amerikë: Sistemi i financimit të fushatave
Zgjedhjet në Amerikë: Sistemi i financimit të fushatave

Të dyja partitë kryesore politike, ajo demokrate dhe ajo republikane, shpenzojnë shuma të mëdha për të fituar në garën për Shtëpinë e Bardhë. Këto përpjekje zhvillohen brenda rregullave federale për të garantuar transparencë dhe përgjegjshmëri. Në reportazhin në vazhdim u hedhim një vështrim rregullave në bazë të të cilave bëhet financimi i fushatave:

Banesa më e shtrenjtë në Shtetet e Bashkuara nuk gjendet as në Hollivud, as në Manhatan. Kjo adresë është në bulevardin Pensilvania në Uashington – Shtëpia e Bardhë ku aktualisht banon Barak Obama i cili në vitin 2008 grumbulloi afro 750 milionë dollarë për të fituar të drejtën të vendosej në këtë adresë.

Dy partitë kryesore, ajo Demokrate dhe ajo Republikane janë mbërthyer në një përpjekje masive për grumbullim fondesh që ashpërsohet më tej me çdo fushatë të re.

Në vitin 1992, dy partitë grumbulluan gjithsej 135 milionë dollarë. Gjashtëmbëdhjetë vjet më pas, në vitin 2008 ato grumbulluan 1.68 miliardë dollarë.

Ku shkojnë gjithë këto fonde? Analisti Brian Darling i organizatës së pavarur studimore Fondacioni Heritage në Uashington, flet për koston e fushatës:

“Për reklama që kushtojnë miliona dollarë deri në momentin kur transmetohen, për koston e udhëtimeve, pasi kushton shumë që kandidati të udhëtojë përditë, si dhe duhen fonde për strukturat organizatore të fushatës që duhet të krijojnë kandidatët”.

Në vitin 1970, Kongresi krijoi një agjenci federale rregullatore të quajtur Komisioni Federal i Zgjedhjeve me dy objektiva kryesore, që janë përgjegjshmëria dhe transparenca, me të cilat na njeh komisionerja Cynthia Bauerly:

“Çdo gjë që bëjnë fushatat, kandidatët dhe partitë në sistemin tonë politik i raportohet zyrës sonë qendrore të Komisionit. Ky informacion është thuajse menjëherë i disponueshëm nga kushdo në faqen e internetit të Komisionit”.

Rregulloret aktuale federale kufizojnë kontributet që u jepen kandidatëve në 2500 dollarë për individ dhe deri në 5000 dollarë për organizata. Kufizime të forta vihen edhe mbi kontributet e korporatave dhe sindikatave.

Përveç krijimit të Komisionit Federal të Zgjedhjeve, Kongresi ka krijuar edhe një sistem publik finacimi në bazë të të cilit, në shkëmbim të fondeve qeveritare, kandidatët pranojnë të vendosin kufizime mbi shumat që mund të grumbullojnë. Por gjatë garës për zgjedhjet e këtij viti, asnjë kandidat nuk ka pranuar fonde publike.

Në vitin 2010, Gjykata e Lartë mori vendimin se edhe grupe me interesa specifike kanë të drejtën të grumbullojnë fonde për të ndikuar tek zgjedhjet. Këto komisione për veprim politik, të njohura me shkurtimin PAC-s, po bëhen një forcë gjithnjë e më e madhe në procesin zgjedhor. Gazetari David Levinthal i gazetës Politico në Uashington:

“Faktikisht ka fare pak rregulla për këto grupe. Ato mund të grumbullojnë shuma të pakufizuara dhe t’i shpenzojnë si të duan. Nuk kanë kufizime. Mesazhi që përcjellin nuk njeh kufizime. Ato mundet që në mënyrë direkte, apo indirekte të mbështesin zgjedhjen e një kandidati, ose t’i kundërvihen një kandidati”.

Vëzhguesit thonë se zgjedhjet presidenciale të këtij viti mund të jenë të parat kur fondet e grumbulluara nga grupet PACS të tejkalojnë fondet që kanë grumbulluar kandidati dhe partia e tij. Kjo ka zgjuar shqetësimin se në zgjedhje mund të ketë një element vendimtar për rezultatin e votës të përcaktuar nga grupe jashtë sistemit zgjedhor.

XS
SM
MD
LG