Lidhje

Zgjedhjet në Shqipëri, vazhdon numërimi i votave në Tiranë e Durrës


Zgjedhjet në Shqipëri, vazhdon numërimi i votave në Tiranë e Durrës
Zgjedhjet në Shqipëri, vazhdon numërimi i votave në Tiranë e Durrës

Numërimi i votave ishte edhe të martën një stërmundim për të gjitha palët konkurruese në zgjedhjet vendore. Ende nuk ka një rezultat të plotë për Tiranën dhe Durrësin që mbetën prapa për shumë arsye. Ndërsa qytetet e mëdha janë marrë disa nga kandidatët socialistë dhe disa nga demokratët.

Megjithë kritikat e vëzhguesve ndërkombëtare dhe atyre vendorë për vonesa të pajustifikuara në procesin e numërimit, komisionerët e dy partive kryesore konkurente përsëri e akuzuan njëri-tjetrin e shkëmbyen akuza për vonesa të qëllimshme të procesit të numërimit dhe bllokime me shkaqe artificiale të nxjerrjes së rezultateve.

Si në Tiranë ashtu edhe në Durrës, megjithëse kanë kaluar 48 orë nga mbyllja e votimit, janë numëruar me shumë veshtirësi dhe ndërprerje afërsisht gjysma e kutive të votimit.

Kishte komisione që ecën shumë shpejt me numërimet, por kishte edhe komisione të tjera që e ndërprenë punën për orë të tëra dhe mezi numëruan vetëm një kuti.

Vëmendja e socialistëve dhe demokratëve është përqëndruar në katër njësi bashkiake ku ata besojnë se kanë edhe mbështetjen më të madhe, ndërkohë që numërimi vazhdon në të gjitha zonat e kryeqytetit. Sipas të dhënave nga të dyja palët, probleme të shumta me kahje të kundërta dhe me vonesa të qëllimshme janë numërimet e votave në minibashkitë 5, 8 10 dhe 11.

Forcat kryesore besojnë që votat në këto katër minibashki do të jenë përcaktuese për rezultatin përfundimtar të bashkisë së Tiranës. Gjatë gjithë ditës së martë, statistikat e pjesshme të KQZ-së treguan se rezultatet janë shumë të ngushta midis kandidatëve kryesorë, Lulzim Basha dhe Edi Rama. Kapërcimi i rezultateve ka ndryshuar vetëm nga disa qindshe votash.

Këto numërime nervoze të votave në kryeqytet vijuan gjatë gjithë ditës jo vetëm si një garë numrash por edhe si një garë psikologjike midis palëve në të njëjtën kohë kur misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë po jepte një konferencë shtypi me rezultatin paraprak në një prej hoteleve të Tiranës. Vëzhguesit ndërkombëtarë njoftuan se do të qëndrojnë edhe dy javë të tjera në Tiranë për të përmbyllur të gjithë procesin e administrimit të zgjedhjeve.

Në raportin e tyre paraprak vëzhguesit ndërkombëtarë thanë se zgjedhjet ishin transparente dhe më të mira se ato të mëparshme. Ata kritikuan dy partitë kryesore PS dhe PD se ishin sjellë në mënyrë të papërgjegjshme në përgatitjen e zgjedhjeve, por ishte KQZ që bëri të mundur organizimin e zgjedhjeve megjithë presionin politik mbi të.

Vëzhguesit ndërkombëtarë deklaruan se “zgjedhjet vendore të 8 majit ishin konkurruese dhe transparente, por u zhvilluan në kushtet e një polarizimi të lartë politik dhe mungesës së besimit midis qeverisë dhe opozitës”. Sipas tyre, partitë konkurruese abuzuan me rolin e tyre në administrimin e zgjedhjeve për të vazhduar betejën politike, sepse të dy partitë bënin deklarata që vinin në pikëpyetje integritetin e zgjedhjeve.

Vëzhguesit vlerësuan si pozitive përmirësimin e listave, KQZ-në transparente dhe mediat pluraliste, por kritikuan Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste se nuk paraqitën në kohë anëtarët e komisioneve dhe as ekipet e numëruesve të votave, duke sjellë problemet që shihen tani së fundi me nxjerrjen e rezultateve.

XS
SM
MD
LG