Lidhje

Zgjedhjet parlamentare në Ukrainë


Ukrainasit po votojnë sot në zgjedhjet parlamentare nën hijen negative që ka krijuar burgosja e udhëheqëses së opozitës Julia Timoshenko dhe mes shqetësimeve për shkelje gjatë procesit. Partia e Rajoneve, e Presidentit Viktor Janukoviç, pritet të fitojë, ndërkohë që opozita është e ndarë në dy kampe kryesore, atë të ish-Kryeministres dhe grupit pro-perëndimor, Udar, i udhëhequr nga kampioni i botës në boks Vitali Klitschko.

Me ish-Kryeministren karizmatike në burg, ku vuan një dënim shtatë-vjeçar për shpërdorim të detyrës, dhe me opozitën të ndarë midis dy partive kryesore, Partia e Rajoneve e Presidentit Viktor Janukoviç pritet ta mbajë shumicën në parlament.

Presidenti votoi në kryeqytetin e vendit, Kiev.

"Votova për stabilitet dhe rritje ekonomike në Ukrainë, për një jetë më të mirë për popullin tonë. Mendoj se këto zgjedhje do ta mbajnë të bashkuar Ukrainën."

Perëndimi po i kushton vëmendje votimeve në shtetin strategjik, ish-anëtar i Bashkimit Sovjetik, që gjendet mes Rusisë dhe Bashkimit Evropian në zgjerim, dhe që është përgjegjës për transportimin e furnizimeve të energjisë në shumë vende të BE-së. Një paraqitje e fortë e Partisë së Rajoneve të Presidentit Janukoviç do të forconte kontrollin e pushtetit prej tij dhe ka gjasa ta largonte Ukrainën nga Perëndimi edhe më tej.

Mbajtja në burg e 51-vjeçares Timoshenko – udhëheqëse e Revolucionit Portokalli të vitit 2004, që rrëzoi nga pushteti zotinYanukovych – ka ndikuar në dobësimin e opozitës në vend.

Yevgenia Timoshenko, e bija e ish Kryeministres, u shpreh kështu pas votimit.

"Zakonisht ka qenë traditë të votoja me prindërit e mi, Julia dhe Aleksandër Timoshenko. Sot, regjimi i ka detyruar ata të mos marrin pjesë në zgjedhje, dhe nëna ime u përjashtua nga fushata zgjedhore dhe nga jeta politike. Ajo është arrestuar në mënyrë të paligjshme."

Partia e zonjës Timoshenko po kandidon në zgjedhje, duke u ndeshur me grupin tjetër pro-perëndimor, Udar, i udhëhequr nga kampioni i botës në boks Vitali Klitschko. Partia e zotit Klitschko ka fituar popullaritet në muajt e fundit, duke theksuar zhgënjimin e votuesve ndaj viteve në pushtet si të Presidentit Janukoviç edhe ato të ish-Kryeministres Timoshenko.

Paraqitja e opozitës në zgjedhje e pabashkuar ka qenë pozitive për interesat politike të Presidentit Janukoviç.
XS
SM
MD
LG