Lidhje

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoni


Maqedonia po përgatitet për raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të djelën, që pritet të jenë një përballje mes presidentit të tanishëm konservator Gjorge Ivanov dhe kandidatit të opozitës Social Demokrate, Stevo Pendarovski, i cili premton ndryshim dhe dhënie fund të korrupsionit.

Presidenti i tanishëm Gjeorge Ivanov, i mbështetur nga partia konservatore në pushtet VMRO-DPMNE, premton një program të ri.

“Unë kam sot ndërgjegje të qartë për të qëndruar këtu para jush me një program të ri, me një besim të ri dhe me një mandat të ri për një sukses të ri. Kemi punuar si ekip me qeverinë, me kryeministrin Gruevski dhe kemi arritur shumë, nuk ka pasur bisedime boshe apo premtime joreale. Fjalët do të bëhen vepra konkrete”, thotë zoti Ivanov.

Kundershtari i tij Stevo Pendarovski, kreu i Bashkimit Social-Demokrat të Maqedonisë, si dhe një kritik i ashper i punës se zotit Ivanov e ka ndërtuar fushatën e tij mbi reformimin e vendit.

Asnje kandidat nuk pritet t’i fitojë zgjedhjet që në raundin e parë. Balotazhi pritet te zhvillohet pas dy javesh, së bashku me zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që u thirrën pas një ndarjeje të koalicionit qeverisës të VMRO-DPMNE me partine shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrimin (BDI).

BDI, partneri më i vogël në koalicionin qeverisës, i kishte kërkuar aleatëve maqedonas të emëronin një kandidat konsensual për president, i cili do të ishte i pranueshëm për të dyja komunitetet, në vend që të kandidonte zotin Ivanov për një mandat tjetër.
Marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe maqedonasve kanë qenë të tensionuara që nga viti 2001, kur një konflikt etnik pothuajse zhyti vendin në luftë civile.

Kandidati i Partisë Demokratike Shqiptare, Ilaz Halimi është garuesi i vetëm shqiptar në këto zgjedhje presidenciale. Ai shpreson se me mobilizimin e duhur të votuesve shqiptarë, do të mund të kalojë në balotazh. Dhe në atë rast, sipas tij, do të kishte një kthesë kundrejt përparimit të pozitës së shqiptarëve në Maqedoni.

VMRO-DPMNE është partia më e madhe në parlament dhe gëzon popullaritet të lartë mes maqedonasve. Sipas sondazheve, nuk ka gjasa që në zgjedhjet parlamentare opozita të mund të fitojë vota të mjaftueshme për të marrë pushtetin, por këto zgjedhje mund të ndryshojnë përbërjen e koalicionit qeverisës.

“Në përgjithësi atmosfera politike në vend është pro opozitës. Për shkak se pas tetë viteve qeverisje të keqe nga ana e koalicionit të tanishëm dhe veçanërisht prej akuzave për veprimtari korruptive nga qeveria, tani është në dorën e qytetarëve maqedonas të vendosin nëse do të zgjedhin të mbështesin koalicionin aktual, apo programin e ri të Social Demokratëve”, thotë Petar Atanasov, analist politik në Universitetin e Maqedonisë.

Zoti Pendarovski dhe partia e tij Bashkimi Social-Demokrat i Maqedonisë e akuzojnë qeverisjen aktuale të udhëhequr nga Presidenti Ivanov dhe kryeministri Gruevski për korrupsion dhe favorizim të miqve të tyre. Ai thotë se kandidatura e tij ofron alternativë për një Maqedoni të re.

“Ka me qindra e mijëra njerëz të cilët janë ngopur me atë që kemi përjetuar në tetë vitet e fundit. Ne jemi më të fortë. Për ta po vjen fundi. Ne jemi më të fortë”, u tha zoti Pendarovski mbështetësve te tij.

Sipas sondazheve të fundit, zoti Pendarovski gëzon një mbeshtetje prej rreth 36. 9 për qind ndaj 35.1 për qind të zotit Ivanov. Dy kandidatët e tjerë Zoran Popovski dhe Ilaz Halimi gëzojnë respektivisht 4.7 dhe 3.7 për qind.
XS
SM
MD
LG