Lidhje

Zgjedhjet presidenciale në Francë, Sarkozi para sfidës


Zgjedhjet presidenciale në Francë, Sarkozi para sfidës
Zgjedhjet presidenciale në Francë, Sarkozi para sfidës

Fushata për zgjedhjet presidenciale të prillit vazhdon në Francë. Presidenti Nicolas Sarkozy përballet me një betejë të vështirë për t’u rizgjedhur. Shumë francezë nuk e pëlqejnë stilin e udhëheqësit të tyre. Por shqetësimi më i madh i votuesve është ekonomia e dobët franceze – dhe si do të jetë e ardhmja e saj.

Në degën e Secours Populaire (Skur Populer) në veri të Parisit, njerëzit po marrin furnizimet bazë për të kaluar javën. Organizata bamirëse franceze ofron ushqim, veshje dhe stehim për ata që kanë nevojë. Vullnetarët i regjistrojnë. Për një kontribut prej rreth 66 centësh – ata mund të mbushin çantat me ushqime. Kryetari i kësaj dege Alain Chetaille (Alën Shetaj) thotë se puna e organizatës është rritur 50 përqind nga viti i kaluar. Arsyeja thotë ai, janë kohët e vështira që po kalon Franca.

"Njerëzit janë të shqetësuar për punën e tyre, paratë dhe strehimin – dhe të ardhmen afatgjatë".

"Njerëzit nga të gjitha moshat vijnë këtu. Disa jetojnë vetëm, por shumë kanë familje që varen prej tyre".

Gati katër në 10 vetë që kërkojnë asistencë këtu janë nëna të vetme. 32 vjeçarja Nadia Coulibaly (Kulibali) është një prej tyre. Ajo dhe vajza e saj gjashtë muajshe kalojnë natën në strehimin e emergjencës. Ajo është agjente e kualifikuar turizmi – por nuk mund të gjejë punë.

Coulibaly thotë se gjetja e një vendi pune është shumë e vështirë. Kriza ekonomike në Francë mund të ndjehet në të gjitha fushat.

Çështje bazë si strehimi dhe punësimi ka të ngjarë të dominojnë zgjedhjet presidenciale në Francë. Gati 10 përqind e francezëve janë të papunë dhe ekonomia po rritet shumë ngadalë. Profesori i shkencave politike Steven Ekovich, në Universitetin Amerikan në Paris thotë se votuesit janë të shqetësuar.

"Nuk është çudi që ekonomia të ketë ndikim në këto zgjedhje. Kur njerëzit ndjejnë se janë në një situatë delikate, do të jenë më të predispozuar të zgjedhin dikë që u ofron zgjidhje të guximshme – ose të paktën një zgjedhje të sigurtë".

Ashtu siç pritet, kundërshtarët politikë fajësojnë presidentin konservator Nicolas Sarkozy për problemet ekonomike. Por ndërsa ai po bën fushatë për t’u rizgjedhur nën moton “Një Francë e Fuqishme” – zoti Sarkozy po kundërpërgjigjet duke pretenduar se politikat e tij e shpëtuan vendin nga rrënimi. Ai premton më shumë reforma për të krijuar vende pune, për të nxitur rritjen dhe për ta bërë Francën më konkurrente.

"Debati politik në vetvete nuk ka të bëjë me ekonominë por me buxhetin – si do ta planifikosh atë. Sa duhet të shpenzojë shteti për t’i dhënë shtytje ekonomisë".

Zoti Sarkozy po lufton gjithashtu imigracionin – një temë popullore që shqetëson kandidatin e qendrës së djathtë Marine Le Pen, i cili radhitet i treti në garë.

Në krye të garës me një diferencë të ngushtë është sfiduesi i partisë socialiste François Hollande (Fransua Oland) – megjithëse presidenti Sarkozy po e ngushton hendekun. Hollande (Oland) kërkon të rrisë taksat mbi të pasurit dhe të investojë në arsim, kërkime dhe punësim si një mënyrë për të rritur ekonominë.

"Ai e ka paraqitur veten si një socialist realist. Ka humbur disa vota nga të majtët për këtë."

Por Hollande ka fituar votën e artistit 61 vjeçar Theo Cas (Teo Kas).

"Do të votoj për François Hollande. Bindjet e mija janë me të majtët si social demokratët, …rëndësia e shtetit duhet të sigurohet. "

Por në qendrën Secours Populaire, zonja Coulibaly mbështet zotin Sarkozy. Ajo thotë se gjërat nuk janë shumë keq. Kandidatët e tjerë flasin, por ata nuk e kanë provuar veten.

Raundi i parë i votimeve është ende dy muaj larg. Analistët thonë se shumë gjëra mund të ndryshojnë në garë. Por një gjë është e sigurtë –problemet ekonomike të Francës – dhe si do të ndreqen ato – do të dominojnë debatin.

XS
SM
MD
LG