Lidhje

Kolorado, shtet i rëndësishëm për zgjedhjet e 6 nëntorit

  • Greg Flakus

Rezultati i zgjedhjeve presidenciale të këtij viti mund të vendoset nga një numër i vogël i të ashtuquajturve shtete të pavendosur, ku, në bazë të anketave të opinionit, Presidenti Obama dhe rivali i tij republikan, Mitt Romney gëzojnë një mbështetje të barabartë. Shteti i Kolorados ka vetëm 9 vota elektorale, të cilat do t’i fitojë kandidati që siguron shumicën e votave popullore në zgjedhjet e 6 nëntorit. Kolorado është njëri prej shteteve të pakta, ku tani për tani nuk mund të parashikohet fituesi, prandaj edhe gara është shumë intensive.

Mijëra përkrahës të zotit Obama dolën kohët e fundit nëpër rrugët e lagjes periferike Golden të Denverit, kur presidenti shkoi për vizitë.

Presidenti Obama fitoi në këtë shtet para 4 vjetësh dhe shumë prej përkrahësve të tij e kanë ruajtur entuziazmin.

Votuesit që identifikohen me njërën parti apo tjetrën në këtë shtet janë të ndarë në mënyrë të barabartë, prandaj votuesit e pavarur si Sherry Toms janë të rëndësishëm për fitoren dhe ajo ende mbështet presidentin.

"Një kthim tek Partia Republikane mund të mos jetë hapi më i përshtatshëm për momentin".

Kandidati republikan, Mitt Romney, nuk ishte në Kolorado, por djali i tij, Josh Romney u takua me përkrahësit jo shumë larg tubimit të presidentit Obama.

Ndërsa votuesit e rinj ndihmuan në fitoren e zotit Obama në zgjedhjet e vitit 2008, disa prej tyre, si Alex Insco, tani mbështesin zotin Romney.

"Nuk kam parë ndonjë ndryshim. Kam shpresuar për ndryshimeve, por ende nuk kam parë ndonjë ndryshim".

Rreth 80 për qind e popullsisë së Kolorados është e përqëndruar në qytete dhe lagje periferike. Në një shtet që në të kaluarën është karakterizuar nga zona me popullsi të rallë si në komunitetet e Maleve Shkëmbore, ndryshimet demografike kanë bërë që Kolorado të kthehet nga një shtet tipik republikan në një shtet të pavendosur.
Shumë njerëz që u transferuan në Kolorado nga shtete të tjera në vitet e fundit u tërhoqën nga bukuria natyrore e këtij shteti. Por njerëzit kanë nevojë për vende pune dhe papunësia në Kolorado është pak më e lartë se sa mesatarja kombëtare dhe pasiguria ekonomike mund të ndryshojë mendjen e shumë votuesve të pavarur.

"Nëse çështjet trajtohen nga aspekti ekonomik dhe kjo përputhet me gjendjen e votuesve, si për shembull rënia e vlerës së shtëpive të tyre, vështirësia për të kursyer për arsimin e lartë të fëmijëve, çmimi i karburantit, atëhere njerëzit ka më shumë të ngjarë të votojnë për republikanët".

Por zoti Bickers thotë se gratë e Kolorados mund të mbështesin presidentin nëse gara përqëndrohet në çështje sociale si aborti, që kundërshtohet nga republikanët. Tara Speigel është një votuese e tillë.

"Kur dëgjon Romney-in dhe Obamën të flasin, është e qartë se Obama mbështet gratë dhe të drejtat e tyre".

Megjithatë në shumë zona periferike të Denverit, gra si Marla Wayneman janë përkrahëse të vendosura të Mitt Romney-it.

"Gratë me fëmijë ndikohen nga gjendja ekonomike dhe ndikimi që do të ketë deficiti tek siguria e vendit tonë".

Gjatë javëve që mbeten deri në zgjedhjet e 6 nëntorit, banorët e Kolorados do të kenë rastin të shikojnë të dy kandidatët si dhe një numër reklamash televizive për të bindur votuesit e pavarur, të cilët nuk kanë vendosur se për cilin kandidat do të votojnë.
XS
SM
MD
LG