Lidhje

Zgjedhja e presidentit në Shqipëri

  • Armand Mero

Berisha-Rama

Berisha-Rama

Në Shqipëri ka përfunduar pa asnjë rezultat konkret takimi i zhvilluar në mbrëmje mes kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të Partisë socialiste në opozitë Edi Rama për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të vendit.

Në deklarimet e secilës palë pas afër 90 minutash bisedime, u la të kuptohej qartë se secili kishte shprehur qëndrimet e veta pa gjetur pika të përbashkëta. Kryeministri tha se shumica është e vendosur të kërkojë konsensusin sipas asaj që përcakton kushtetuta në raundet e para të votimit.

Zoti Berisha i mëshoi faktit se "shumica ka bërë për këtë hapat e veta, tërheqjet e veta dhe ka paraqitur një kandidaturë jashtë interesit partiak në përpjekje për konsensus me opozitën", duke ju referuar emrit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Xhezair Zaganjori. Kryeministri theksoi më tutje se besonte se dhe opozita do të bënte hapat e saj.


Nga ana e tij kryetari socialist tha se "opozita nuk ka asnjë kusht, por vetëm vullnetin për një proces të dakortësuar ku qeveria t’i japë mundësi asaj për të kontribuar". Zoti Rama saktësoi se nuk ishte folur për emra dhe se ajo kishte kërkuar që "të ndërtohet një kornizë parimore brenda së cilës mund të gjendet konsensusi dhe opozita mund të japë konsensusin". Por zoti Rama ka përjashtuar që këtë konsensus të mund ta japë për kandidaturën e zotit Zaganjori.


Sipas të gjitha gjasave, edhe raundi i nesërm i votimit do të digjet sërish pa asnjë kandidat në garë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG