Lidhje

Zgjedhjet serbe në Kosovë

  • Leonat Shehu

Në Kosovë, autoritetet thanë se kanë kërkuar ndihmën e Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë që të lehtësojë pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet e përgjithshme të Serbisë, që do të mbahen në muajin maj. Por, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se kjo do të mund të bëhej në disa vendvotime te lëvizshme, por jo duke hapur qendra votimi në Kosovë. Zyrtarë të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë kanë paralajmëruar se deri në fund të javës do të vendosin për mënyrën e përfshirjes në këtë proces.

Autoritetet më të larta të Kosovës ritheksuan sot se nuk do të ketë zgjedhje lokale të Serbisë në Kosovë, por po shqyrtohen rrugët për të mundësuar votimin e serbëve në zgjedhjet e përgjithshme serbe. Beogradi zyrtar paralajmëroi se do të heq dorë nga synimi për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, meqë nuk ka siguruar as mbështetjen e mekanizmave ndërkombëtarë, por ky qëndrim po sfidohet nga përfaqësuesit politik të serbëve në veriun e Kosovës të cilët thanë se do të organizojnë zgjedhje në të paktën dy komuna.

Kjo çështje është diskutuar sot edhe me sekretarin e përgjithshëm të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, Lamberto Zannieri, misioni i të cilit është propozuar si mekanizëm që do të mund të përfshihej në siç është thënë lehtësimin e pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në zgjedhjet e përgjithshme të Serbisë.

Në një komunikatë për opinion thuhet se presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka thënë se zgjedhjet lokale të Serbisë nuk mund dhe nuk do të mbahen në territorin e Kosovës sepse cenojnë tërësinë tokësore të saj. Por ajo citohet të ketë thënë se institucionet e Kosovës e njohin standardin ndërkombëtar me të cilin shtetasit me shtetësi të dyfishtë e gëzojnë të drejtën e votimit në zgjedhjet e përgjithshme, dhe për këtë do të respektohen konventat ndërkombëtare.

Edhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha se do të respektohet kjo mundësi por nuk do të ketë qendra votimi në Kosovë.

“Do të lehtësohet pjesëmarrja në votim, dhe pastaj ato kuti nga një organizatë ndërkombëtare të barten në Serbi, por jo hapje të qendrave të votimit nga Serbia në Kosovë, por qendra mobile të OSBE-së nëse ndonjë qytetarë dëshiron të marr pjesë në votim”, tha kryeministri Thaçi.

Ai tha ndërkaq se siç u shpreh do të dështojnë të gjitha pretendimet për mbajtje të zgjedhjeve lokale.

“Sepse qeveria e Republikës së Kosovës është e vendosur që një gjë të tillë të mos e lejoj dhe do të përdor gjithë forcën kushtetuese dhe ligjore që diçka e tillë të mos ndodh”, tha ai.

Në një njoftim të zyrës së kryeministrit Thaçi, sekretari i përgjithshëm i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, citohet të ketë thënë se organizata e tij është duke e shqyrtuar seriozisht kërkesën e Qeverisë për të lehtësuar organizimin e votimit për qytetarët serb në zgjedhjet e përgjithshme të Serbisë dhe se një vendim përfundimtar lidhur më këtë çështje pritet të merret deri kah fundi i kësaj jave.

Serbia do të mbajë zgjedhjet presidenciale, parlamentare e lokale më 6 maj, ndërsa çështja e Kosovës dhe qasja ndaj saj është në qendër të fushatës se partive politike serbe. Vendimi i qeverisë së Serbisë që të mos mbahen zgjedhjet lokale është shndërruar në temë debatesh brenda Serbisë. Derisa autoritetet në Beograd thonë se ky vendim nënkupton respektim të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, opozita akuzon qeverinë se në këtë mënyrë po e njeh pavarësinë e Kosovës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG