Lidhje

Zgjedhje presidenciale me ndikim global


Ndërkohë që Evropa përballet me një krizë borxhi që kërcënon të gjithë rajonin dhe Kina përpiqet të gjejë zgjidhje për ekonominë e saj në ngadalësim, zgjedhjet amerikane zënë vend kryesor në lajmet botërore. Qytetarët e globit duan të dinë se kë do të zgjedhin amerikanët si udhëheqësin e tyre të ri, sepse ai që do të fitojë në nëntor do të drejtojë ekonominë më të madhe në botë, duke zotëruar kështu mundësinë për të ndikuar ndjeshëm në ekonominë globale.

Nëse anketat janë të sakta, zgjedhjet e këtij viti do të përcaktohen nga votat e rëndësishme të një pjese të vogël shtetesh të pavendosura. Por këto zgjedhje nuk cilësohen vetëm si një çështje e brendshme. Bruce Stokes, i Qendrës kërkimore Pew thotë se zgjedhjet amerikane do të kenë ndikime globale.

"Amerikanët kanë të drejtën e votës në këto zgjedhje, por botës i duhet të merret me pasojat."

Me një produkt të brendshëm bruto të barabartë me rreth një të katërtën e prodhimit të përgjithshëm në botë, asnjë vend tjetër nuk lë gjurmë më të madhe ekonomike.
Desmond Lachman është makroekonomist në Institutin me prirje konservatore American Enterprise.

"E pamë në mënyrë të qartë gjatë recesionit të madh ekonomik në vitet 2008-2009, se si ngjarjet që ndodhën në sistemin bankar të Shteteve të Bashkuara u pasqyruan në të gjithë globin."

Gjatë fushatës elektorale, të dy kandidatët kanë qenë dakord se një ekonomi amerikane e shëndetshme është vendimtare për stabilitetin global. Të dy kanë siguruar amerikanët se kanë një plan për të nxitur ekonominë. Kandidati republikan Mitt Romney premton se do të jetë më i ashpër ndaj Kinës.

"Qysh ditën e parë, do ta cilësoj zyrtarisht Kinën si manipulatore monedhe, çka do të më lejojë si president të jem në gjendje të vendos, nëse do të jetë e nevojshme, tarifa të veçanta në rastet ku unë besoj se ata janë duke përfituar padrejtësisht ndaj prodhuesve tanë."

Duke kërkuar një mandat të dytë, Presidenti Obama thotë se tregtia e SHBA-së është rritur ndjeshëm nën udhëheqjen e tij. Po ashtu është rritur vlera e monedhës së Kinës, e cila sipas presidentit Obama është rritur me 11 për qind që kur ai mori detyrën. Çelësi për një ekonomi të fortë, thotë zoti Obama, është rikthimi i sektorit industrial në SHBA dhe ai thotë se zoti Romney nuk është personi i duhur për ta bërë këtë.

"Mos harroni që Guvernatori Romney investoi në kompani të cilat kanë qenë ndër të parat që transefuaruan vende pune në Kinë. Zoti Guvernator, ju jeni personi i fundit që do ishte i ashpër ndaj Kinës."

Por Kina është vetëm njëra pjesë e një ekuacioni të madh. Kriza e borxhit në Evropë, ka ulur kërkesën për mallra amerikane. Desmond Lachman thotë se thellimi i problemeve në eurozonë mund të ngadalësojë më tej rritjen, në të gjithë botën.

"Mendoj se Evropa, duke qenë partneri më i madh tregtar i Shteteve të Bashkuara, do të paraqesë sfida reale për Shtetet e Bashkuara në vitet e ardhshme."

Zoti Lachman thotë se kandidati Romney ofron politika më pozitive për biznesin si zgjidhje për papunësinë e lartë e të vazhdueshme të vendit. Por Bruce Stokes i Qendrës Pew thotë se, duke pasur parasysh popullaritetin e Presidentit Obama në shumë pjesë të botës, imazhi i SHBA-së mund të dëmtohet nën një presidencë Romney.

"Rasti i Kinës është interesant. Mendoj se, duke parë retorikat e zotit Romney, mund të ketë një përkeqësim afat-shkurtër të imazhit të Amerikës në Kinë. Por goditja më e madhe do të jetë në Evropë."

Një studim i fundit i Qendrës Pew tregon se Evropa Perëndimore preferon me shumicë dërrmuese një mandat të dytë për zotin Obama: 92 për qind në Francë, 89 për qind në Gjermani dhe 73 për qind në Britani. Por presidenti nuk ka shifra të larta në Greqi, ku vetëm 22 për qind e njerëzve shprehen pozitivisht për mënyrën si e ka trajtuar ai ekonominë globale.

Kushdo që fiton, zoti Lachman thotë se do të ketë shumë gjëra për të bërë, veçanërisht në qoftë se Kongresi i ndarë nuk do të jetë në gjendje të miratojë shkurtime drastike të shpenzimeve në fund të vitit.

"Nëse gjërat shkojnë keq në Shtetet e Bashkuara, kjo me siguri do të ketë pasoja globale të mëdha, sidomos tani që pjesa tjetër e botës nuk është në gjendje të mirë. Atyre nuk u shërben që Shtetet e Bashkuara të jenë në krizë."

Historia tregon se bota do të përshtatet me këdo që Amerika do të zgjedhë. Por është e qartë, thonë ekspertët, se rezultati do të ndikojë ndjeshëm tek qëndrimet ekonomike dhe gjeopolitike në mbarë botën, gjatë viteve që vijnë.
XS
SM
MD
LG