Lidhje

Kinezët ndjekin fushatën amerikane


US Elections Heat Up, China Trade Tensions Rise
US Elections Heat Up, China Trade Tensions Rise
Me afrimin e zgjedhjeve presidenciale amerikane, faqet e internetit në Kinë po i ndjekin me vëmendje zhvillimet në fushatë duke bërë analiza dhe komente të hollësishme, veçanërisht kur në fushatë përmendet Kina. Korrespondenti William Ide njofton nga Pekini se ky mbulim i hollësishëm i fushatës ndryshon dukshëm nga mbulimi i përciptë i ndryshimeve në qeverinë kineze këtë nëntor:

Vetëm disa orë pasi Presidenti Obama dhe rivali i tij republikan Mitt Romney zhvilluan debatin e tyre të dytë presidencial, përdoruesit e internetit në Kinë ndiqnin pasazhe të përkthyera të debatit.

Në Kinë, përmes një shërbimi që i përngjet Twitter-it, përdoruesit jo vetëm që mund të bënin komente për aftësitë e pjesëmarrësve në debat, por edhe të ofronin aludime mbi ndikimin që politikat do të kishin tek Kina.

Zhou Peiyuan, përdorues i shërbimit Weibo, nuk e sheh si diçka negative që Kina po kritikohej, pasi kjo vëmendje ndaj Kinës është tregues i fuqizimit dhe ndikimit që ka Kina në arenën ndërkombëtare, shkruan ai në blog.

Politologu Xie Tao thotë se shumë analistë në Kinë po i ndjekin debatet për të parë për shenja ndryshimesh në politikën amerikane, por ka shumë të tjerë që shfaqin një interes më të thjeshtë:

“Shumë njerëz i ndjekin debatet për kuriozitet, për të parë çfarë po bëjnë kandidatët, por ka njerëz që duan të dinë se çfarë temash po debatohen”.

Pjesa më e madhe e grupeve mediatike që mbështeten nga qeveria njoftuan se Kina po përdorej si kokë turku në debate dhe i akuzuan kandidatët për qëndrim negativ nga Kinës.

Një forum i administruar nga gazeta shtetërore E Përditshmja e Popullit, i titulluar Forumi për një Komb të Fortë, vë në dukje se të 20 herët kur kandidatët përmendën Kinën, debati ishte përqendruar tek ekonomia amerikane. Media shtetërore jo vetëm që u ndal tek mënyra si u portretizua Kina gjatë debateve, por komentet nxirrnin në pah dallimet mes sistemeve politike në Kinë dhe në Shtetet e Bashkuara.

Disa komentues në bloge pyesnin se kur do të vijë dita që udhëheqësit kinezë të zhvillojnë debate televizive për të parashtruar politikat e tyre. Kjo nuk ka gjasa të ndodhë në të ardhmen e afërt, thotë Joseph Cheng, professor në Universitetin e Hong Kongut. Ai shton se gjatë 20 vjetëve të fundit Kina ka krijuar metodën e saj për të zgjedhur udhëheqësit, përmes një procesi të brendshëm ku një grup i vogël anëtarësh të rinj të partisë ngjiten në istancat e larta dhe përgatiten për udhëheqje gjatë një periudhe 10 vjeçare.

“Këtë rrugë ndoqën Hu Jintao dhe Wen Jiabao dhe me sa duket është rruga e zgjedhur për udhëheqës si nënpresidenti Xi Jinping apo nënkryeministi Li Keqiang e të tjerë”.
Vetëm pak javë mbeten deri në tranzicionin politik në Kinë, por ndryshe nga Shtetet e Bashkuara, nuk ka dyshime se kush do të jenë udhëheqësit e ardhshëm.

Gjatë Kongresit të 18-të të Partisë që zhvillohet në nëntor, postet e larta si ai i presidentit dhe i kryeministrit pritet të zihen nga Xi Jinping dhe Li Keqiang. Por një pjesë e mirë e emrave të atyre që do të renditen në poste më të ulëta si në Byronë Politike, apo në Komitetin Qendror, mbeten mister për publikun e gjerë.

Në buletinet e komenteve në internet, ku kinezët shkëmbejnë mendimet e tyre për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, censura shtetërore nuk lejon fjalë si “Partia Komuniste e Kinës” apo “Kongresi i 18 i Partisë”. Profesor Cheng thotë se ndërkohë që udhëheqja e lartë e Kinës debaton mbi politikat shtetërore, përmbajtja e debateve mbetet pas dyerve të mbyllura.

“Shohim botime, studime akademike që argumentojnë nevojën për reforma dhe është e natyrshme të mendojmë se këto çështje po diskutohen edhe në rangun e lartë të partisë kur debatohen politikat e ardhshme”.

Megjithatë faqet e internetit që ndjekin zgjedhjet amerikane ka të ngjarë të jenë më popullore gjatë javëve të ardhshme. Në debatin e fundit presidencial që zhvillohet më 22 tetor në Florida, kandidatët do të diskutojnë mendimet e tyre për Kinën në një segment të titulluar “Ngritja e Kinës dhe Bota në të Ardhmen”.
XS
SM
MD
LG