Lidhje

Paqendrueshmëria ekonomike, kryesorja në fushatën zgjedhore


Më pak se pesë muaj para zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, ekspertët thonë se paqendrueshmëria ekonomia po e bën garën shumë të fortë këtë vit. Republikanët i kanë shtuar shpresat për shanset e kandidatit të tyre presidencial, ish-guvernatori i Masaçusetsit Mitt Romney.

“Kjo garë nuk është thjesht për politikën apo njerëzit, por për drejtimin që do të marrë vendi. Dhe unë do ta ruaj madhështinë e Amerikës dhe do ta nderoj angazhimin që ky vend të jetë një komb i pandarë”.

Një rritje e lehtë e numrit të të papunëve në 8.2 për qind dhe luhatja e bursës kanë ringjallur dyshimet për qendrueshmërinë e ekonomisë, për të cilën analistët thonë se pa diskutim do të jetë faktori kryesor në garën e nëntorit mes zotit Romney dhe Presidentit Barack Obama të Partisë Demokrate.

Republikanët gjithashtu ndjehen shumë më entuziastë për këto zgjedhje sesa para katër vjetësh, kur zoti Obama fitoi ndaj kundërshtarit të tij republikan, senatorit John McCain. John Fortier është me Qendrën e Politikës Dypartiake në Uashington.

“Eshtë e qartë se në ndryshim nga viti 2008, Republikanët janë më energjikë. Në vitin 2008 ata nuk ishin shumë dinamikë. Demokratët ishin. Mendoj se të paktën ajo që do të shohim është se të dyja palët do të kenë një nivel të lartë energjie”.

Zoti Fortier thotë se shenjë për përmirësimin e angazhimit republikan ishte rivotimi në Wisconsin ku u rizgjodh Guvernatori Republikan, Scott Walker. Demokratët u inkurajuan nga anketimet jashtë qendrave të votimit në Wisconsin që treguan se votuesit janë gjithsesi pro rizgjedhjes së Presidentit. Por shumë përkrahës të zotit Obama shqetësohen se dobësitë e ekonomisë do të rendojnë mbi shpresat e tij në nëntor.

Presidenti Obama po përpiqet ta mbajë vëmendjen të përqendruar tek Republikanët duke i fajësuar për bllokimin e project-ligjit të tij për punësimin në Kongres.

“Do të ketë kohë të debatojmë planet tona respektive për të ardhmen. Ky është një debat që unë do doja ta bëja. Por për momentin, ne në Uashington duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet që të vazhdojë rimëkëmbja dhe vendi të jetë i forte”.

Analisti John Fortier thotë se Presidenti ka shumë arsye për t’u shqetësuar nëse treguesit zhgënjyes ekonomikë të kohëve të fundit kthehen në një prirje.

“Mendoj se votuesi i zakonshëm do të shtrojë pyetjen: a po shkojnë gjërat në drejtimin e duhur? Ndoshta nuk janë të përkryera. Ndoshta papunësia është ende e lartë. Por nëse ka një përmirësim, kjo do të ishte positive për Presidentin. Nëse njerëzit nuk janë shumë optimistë për ekonominë, do të ishte në favor të Mitt Romney-t”.

Një anketë e fundit lë të kuptohet se dobësimi ekonomik po i dëmton shanset e rizgjedhjes së Presidentit Obama. Ajo tregon se Presidenti ka një diferencë të ngushtë mbështetjeje ndaj Romney-t, 44 me 41 për qind respektivisht. Por gjithashtu arrin në përfundimin se miratimi për punën e presidentit ka rënë nga 51 në 47 për qind, ku 48 për qind e amerikanëve nuk e miratojnë punën e tij.
XS
SM
MD
LG