Lidhje

Zgjedhjet, e majta pritet të ketë 84 deputetë


Pa numëruar ende edhe disa dhjetra kuti. E djathta parashikohet të mbajë vetëm 56 vende në parlamentin e ri.

Në Shqipëri deri pak pas mesditës kishin mbetur për t’u numëruar edhe 100 kutitë e fundit të zgjedhjeve të së dielës. Procesi vazhdon të mbetet i hapur në tre qarqe, në Tiranës Durrës dhe Lezhë, por shifrat duken të atilla sa vështirë se mund të sjellin ndonjë ndryshim, ndonëse në qarkun e Lezhës ka tension për kutitë e fundit në Lac. Koalicioni i majtë i udhëhequr nga socialistët rezulton deri tani fitues në 10 nga 12 qarqet e vendit. Arriti të dalë me një numër të barabartë mandatesh në Dibër, ndërkohë që në Kukës, ku ka kontestime mes palëve, fitorja pritet t’i mbetet koalicionit të djathtë me tre deputetë kundrejt vetëm 1 të së majtës.

Zgjedhjet e së dielës prodhuan një rezultat surprizë edhe për vetë koalicionin e drejtuar nga kryetari socialist Edi Rama. Në parlamentin e ardhshëm shumica e re pritet të ketë 84 vende, të ndara mes 66 deputetëve socialist, 16 të LSI-së, 1 të PBDNJ dhe 1 të PKDSH. Nga ana tjetër, edhe e djathta paraqitet me një konfiguracion të ri. Nga të 56 vendet, 5 do t’i takojnë PDIU-së, 4 PR-s dhe 47 partisë demokratike, brenda së cilës janë edhe kryetarët e dy partive të tjera aleate.

Socialistët festuan mbrëmë në shumë qytete të vendit. Kryetari Edi Rama mbajti një fjalim para përkrahësve të majtë që brohoritnin pa ndalim në oborrin e selisë së opozitës. Ai tha se tashmë të majtët janë zgjedhur nga populli të qeverisë vendin me përgjegjësi. “Ky është momenti më krenar i jetës sime. Por, midis krenarisë që ndjej për veten dhe përulësisë që ndjej prej besimit të jashtëzakonshëm që keni investuar tek unë, fiton thellë përulësia. Unë do të jem kryeministri juaj, por edhe kryeshërbëtori juaj. Detyra do të jetë imja, pushteti do të jetë juaji”, tha ai.

Zoti Rama tha se opozita ka një program të ri qeverisës për të rilindur Shqipërinë dhe një skuadër të gatshme për qeverisje. “Pjesë e kësaj sfide është që asnjë zgjedhës i palës tjetër të mos ndjehet keq. Asnjë rrogëtar që i shërben këtij shteti falë meritës së tij, të mos ndjehet i kërcënuar. Asnjë burim mediatik që ka mbështetur alternativën e kundërshtarit, të mos ndjehet i rrezikuar” , tha ai.

Për zgjedhjet e Shqipërisë bënë deklaratë edhe përfaqësuesit e lartë të BE-së, Kathrinë Ashton dhe Stefan Fyle. Ata pohuan se zgjedhjet e 23 qershorit ishin zhvilluar të qeta e të rregullta dhe prisnin raportin e vëzhguesve ndërkombëtarë. Ata dënuan rastet e dhunës, të duhen zbardhur plotësisht. Faza e mbetur e procesit zgjedhor të kryhet sipas standarteve të be-së. Ata propozuan që partitë në frymë konstruktive sapo të konfirmohen rezultatet të krijojnë qeverinë, e cila do të përballet me sfidat e shumta dhe të japë një vrull të ri në rrugën e integrimit europian.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG