Lidhje

Shqipëri, mbyllet fushata zgjedhore


Partitë politike mbyllën dje në mbrëmje fushatat e tyre për zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit dhe sot është heshtje zgjedhore, e ndalohen fjalimet dhe reklamat politike. Partitë kryesore konkuruese, PD e kryeministrit Sali Berisha dhe PS e zotit Edi Rama zhvilluan fushata të forta; i pari duke premtuar zhvillim dhe ecje përpara me një mandat të tretë, ndërsa tjetri duke premtuar një rishikim të skemave ekonomike bazuar në taksa të ndershme dhe në luftën kundër varfërisë.

Të dy mblodhën në tubimet përfundimtare mijëra përkrahës Berisha në Tiranë dhe Rama në Shkodër e Vlorë, duke mbajtur fjalime entuziaste në sheshe të mbuluar nga flamujt partiakë dhe reklamat. Ata u bënë thirrje qytetarëve për një pjesëmarrje sa më të gjerë në zgjedhje.

Kryeministri Berisha ftoi votuesit që të bashkohen me të në rrugën drejt BE, e cila rruga e duhur për qytetarët shqiptarë. Ndërsa zoti Rama u kërkoi qytetarëve që të bëhen pjesë e përpjekjeve për të rimëkëmbur ekonominë dhe demokracinë e dëmtuar nga korrupsioni qeveritar. Të dyja palët paraqitën gjerësisht problemet social-ekonomike si punesimi, financat publike dhe taksat etj. Megjithatë nga ekspertët u vlerësuan si jorealiste premtimet e të dy palëve për të hapur disa qindra mijëra vende pune, dhe papunësia, sipas tyre, parashikohet të mbetet problemi kryesor i shoqëerisë për të ardhmen.

Fushata u vlerësua nga shumë vëzhgues si përgjithësisht e qetë, demokratike dhe pa incidente të rënda dhune si zgjedhjet e tjera, megjithatë u raportua për përfshirjen e fëmijëve dhe administratës publike nëpër tubime politike. Fushata zgjedhore që sapo u mbyll u vlerësua edhe si një fushatë e kushtueshme dhe e ngjashme me fushatat e vendeve perëndimore, gjë për të cilët kanë ndikuar kompanitë amerikane e britanike të imazhit.

Zgjedhjet po vëzhgohen nga Këshilli i Europës dhe nga OSBE. Drejtuesit e këtyre misioneve parlamentare ftuan udhëheqësit politikë shqiptarë “të angazhohen në një proces konstruktiv për të siguruar zhvillimin e papenguar të zgjedhjeve”. Koordinatori special i vëzhguesve afatshkurtër të OSBE-së, Roberto Battelli, pritet të paraqesë raportin e parë të vlerësimit të hënën pasdite.

Ata i bënë thirrje edhe KQZ që të përmbushë detyrat dhe përgjegjësitë për një proces të qetë zgjedhor. Në deklaratën e përbashkët të vëzhguesve ndërkombëtarë thuhet se “institucionet administrative zgjedhore duhet të funksionojnë në mënyrë të pavarur, dhe të garantojnë që vullneti demokratik i votuesve do të respektohet nga autoritetet dhe nga partitë politike në garë.

Këto zgjedhje janë vlerësuar si një provë nëse Shqipëria po ndahet nga periudha e zgjedhjeve problemtatike dhe po afrohet antarësimit të mundshëm në BE. Shqipëria u antarësua në NATO në vitin 2009, ndërsa BE tha që para se të bëhej kandidate, Tirana duhej të bëjë reforma të brendshme demokratike dhe të përmirësojë proceset zgjedhore. Përfaqësues të lartë të BE, Katerinë Eshtën dhe Stefan Fyle, deklaruan se këto zgjedhje parlamentare janë një provë e rëndësishme për institucionet demokratike dhe përparimin drejt BE-së.
XS
SM
MD
LG