Lidhje

Zhbllokim i pjesshëm i rrugëve në veriun e Kosovës


Zhbllokim i pjesshëm i rrugëve në veriun e Kosovës
Zhbllokim i pjesshëm i rrugëve në veriun e Kosovës

Në veriun e Kosovës ka filluar zhbllokimi i pjesshëm i rrugëve. Në komunën e Leposaviqit, gjatë natës janë larguar mjetet e rënda që ishin vendosur në rrugën që çon në njërin nga vendkalimet kufitare me Serbinë. Ndërkaq edhe më tej mbetet bllokada e vendosur në fshatin Rudarë, në komunën e Zveçanit. Largimi i pjesshëm i bllokadave, pasoi një takim të përfaqësuesve politikë lokal të serbëve në veri, të cilët nuk arritën të merren vesh për zbatimin e marrëveshjes së arritur të premten e kaluar ndërmjet KFOR-it, qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve të qeverisë së Serbisë për tejkalimin e situatës në veriun e Kosovës. Kjo marrëveshje nënkuptonte në radhë të parë largimin e bllokadave të vëna dy javë më parë nga serbët në veri në kundërshtim të synimeve të qeverisë së Kosovës për vënien nën kontroll të vendkalimeve kufitare më Serbinë në veriun e banuar me shumicë serbe.

Autoritetet e sigurisë thanë se gjendja në veri është e qetë, ndërsa u kanë bërë thirrje qytetarëve serbë që të respektojnë marrëveshjen.

Por përfaqësuesit ë serbëve që po mbajnë bllokadën në fshatin Rudarë, thanë se marrëveshja është në kundërshtim me interesat e serbëve dhe barrikadat e vendosura atje nuk do të largohen përderisa gjendja në vendkalimet kufitare me Serbinë nuk kthehet në situatën e para 25 korrikut. Kjo kërkesë u hodh poshtë sot sërish nga kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi i cili tha se qeveria e tij do të respektojë në tërësi marrëveshjen e mirëkuptimit me KFOR-in.

“Gjithë ata që vazhdojnë t’i rezistojnë realitetit të ri, duhet ta ketë të qartë se nuk do të ketë perspektivë për barrikaduesit dhe bllokuesit, por do të ketë perspektivë të sigurt dhe në atë pjesë të territorit të Kosovës, rendi dhe ligji, lëvizja e lirë e njerëzve”.

Kryeministri Thaçi tha se vënia nën kontroll e vendkalimeve kufitare me Serbinë, i ka dhënë kuptim pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës por edhe ardhmërisë së saj evropiane që është aspiratë e të gjitha vendeve të rajonit. “Por, secili prej vendeve tona në rajon, në këtë kuadër të kësaj edhe Kosova dhe Serbia, duhet ta kenë paraprakisht të definuar qartë integritetin territorial. Prandaj vendimet tona janë në përputhshmëri me kushtetutën tonë, me ligjet tona, dokumentet ndërkombëtare, por edhe me standardet dhe vlerat evropiane”, thekoi kryeministri Thaçi.

Qetësia u rivendos në veri me një marrëveshje mirëkuptimi të arritur nga KFOR-i me përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës dhe ata të Serbisë. Sipas kësaj marrëveshjeje që nuk është nënshkruar nga askush, vendkalimet kufitare me Serbinë në veriun e Kosovës do të mbeten nën kontrollin e KFPOR-it deri në shtator, kur pritet rifillimi i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Më 25 korrik qeveria e Kosovës filloi një operacion për vënien nën kontroll të dy vend kalimeve kufitare në veriun e banuar me shumicë serbe në funksion të zbatimit të vendimit për ndalimin e importeve nga Serbia, i cili nuk po zbatohej në atë pjesë të Kosovës.

Operacioni nxiti reagime të ashpra të banorëve serb të cilët ngritën barrikada në rrugët kryesore. Një pjesëtar i policisë u vra gjatë një sulmi mbi policinë në afërsi të Zubin Potokut një komunë me shumicë serbe ne veri. Dhuna bëri që kontrollin në vendkalimet kufitare në veri ta marrin përsipër forcat e NATO-s të cilat i shpallën ato vendkalime si zona të kufizuara ushtarake ndërsa trupa shtesë u dërguan në zonë për të parandaluar shtimin e tensioneve.

XS
SM
MD
LG