Lidhje

Zhvillohet në Uashington konkursi prestigjoz i shkencës e teknologjisë

  • Chris Simkins

Zhvillohet në Uashington konkursi prestigjoz i shkencës e teknologjisë

Zhvillohet në Uashington konkursi prestigjoz i shkencës e teknologjisë

20 nxënës të shkollave të mesme u mblodhën në Uashington këto ditë për një prej konkurseve më të rëndësishme shkencore në vend. Çmimi i lakmuar është shuma prej gjysmë milion dollarësh për bursa universitare. Por nuk është thjesht çmimi monetar që i nxit këta konkurentë në matematikë, shkencë e teknologji. Ata shpresojnë që një ditë novacionet e tyre të realizojnë ndryshime pozitive në botë:

Andrew Xu është një ndër shpresat e ardhshme të shkencës amerikane. Ekuacionet e tij matematikore synojnë të rrisin efikasitetin e komunikimeve në internet dhe të medias sociale, si Facebook.

“Projekti ynë premton të përmirësojë efikasitetin e rrjeteve në internet. Kjo është shumë e rëndësishme pasi me zgjerimin e mëtejshëm të këtyre rrjeteve, rritja e efikasitetit nënkupton ulje kostoje”.

Andrew dhe 19 nxënës të tjerë të shkollave të mesme janë finalistë në Konkursin e Fondacionit Siemens për Matematikën, Shkencën dhe Teknologjinë këtu në Uashington. Secili nga konkurentët shpreson se juristët do të zgjedhin projektin e tij si më novatori dhe më i rëndësishmi.

Xhon Solder ka shpikur mënyra për përdorimin e dritës në kurimin e njerëzve me dëmtime në tru apo probleme si sëmundja e Alzajmerit.

“Një tel me fibra optike futet në korteksin e përparmë ku vërehen çrregullime të tilla si sëmundja e Parkinsonit apo Alzajmerit. Pra vendoset kontakt me pjesët e trurit që janë të ndjeshme ndaj dritës dhe me anë të dritës stimulohen ato neurone për të ndihmuar trurin të rifitojë aftësitë e humbura”.

17-vjeçarët Cassee Cain dhe Ziyuan Liu fituan çmimin më të lartë si ekip. Ata do të ndajnë mes tyre shumën prej 100 mijë dollarësh për studime universitare. Dy adoleshentët prezantuan një projekt bio-inxhinierik, i cili tregon se si një ndjesor i lëvizjes dhe loja popullore elektronike X Box 360 mund të përdoren për të përmirësuar lëvizjen e personave që kanë humbur gjymtyrët.

“Shpresojmë që të arrijmë që ky sistem me kosto të ulët dhe portativ t’u ofrohet personave në nevojë në zona rurale, të cilët nuk kanë mundësi të kurohen në laboratore të sofistikuara”.

Julia Crowley Farenga dhe pjesëtarët e ekipit të saj fituan vendin e tretë për kërkimet e tyre mbi evolimin e galaktikave. Julia dëshiron që më shumë nxënës të frymëzohen për të ndjekur shembullin e saj:

“Punova me nxënës të klasës të tretë pas shkolle për një projekt shkencor dhe ishte shumë kënaqësi. Shpresoj se një ditë këta fëmijë do të përqendrohen në studime shkencore. Pra ideja ishte që të nxisja dëshirën për shkencën në mendjet e fëmijëve”.

Këtë vit çmimi më i lartë për një individ i shoqëruar me 100 mijë dollarë, iu dha Angela Zhang për kërkimet mbi mënyrën se si qelizat kanceroze stimulojnë rritjen e tumorëve. Ajo dhe fituesit e tjerë të konkursit të Fondacionit Siemens duket se me këto arritje kanë hedhur hapat e parë në rrugën e zbulimeve të rëndësishme shkencore e teknologjike.

XS
SM
MD
LG