Lidhje

Rastet e Zikës në Florida alarmojnë Uashingtonin


Besohet se mushkonjat që bartin virusin Zika kanë mbërritur në SHBA. Në Florida janë raportuar të paktën 14 raste infektimi. Korespondenti i Zërit të Amerikës Michael Bowman thotë se zyrtarët amerikanë të shëndetësisë paralajmëruan disa muaj më parë, por Kongresi ende nuk ka miratuar fonde për të luftuar virusin ose mushkonjat që e përhapin.

Për shumicën e amerikanëve, mushkonjat janë të bezdisshme gjatë verës. Por Florida tani duhet t’i trajtojë ato si rrezik ndaj shëndetit publik.

“Katër njerëz në shtetin tonë ka mundësi të jenë infektuar nga pickimi i mushkonjave. Kjo do të thotë se Florida tashmë është shteti i parë në vend ku është transmetuar virusi”.

Edhe në vende larg Floridës, si Teksasi, disa shprehin shqetësim dhe një ndjesi disfate.​

“Jam i shqetësuar për nipërit e mbesat dhe fëmijët e mi. Por s’e di nëse është mirë të shqetësohemi shumë.”

Rastet e Floridës konfirmojnë atë që zyrtarët e shëndetit parashikuan muaj më parë.

“Ka gjasa të shohim raste të veçanta infektimi me virusin Zika”.

Nga Kongresi, tani për tani, ka mjaft fjalë, por as edhe një dollar nuk është miratuar për t’u përdorur në betejën kundër virusit. Senatorët fillimisht ranë dakord për $1,1 miliard dollarë shpenzime. Por negociatat mes Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit të udhëhequra nga Republikanët rezultuan me një projektligj për të cilin demokratët nuk mund të binin dakord.

“Çfarë solli udhëheqja Republikane në Kongres? Fatkeqësisht, prodhuan një projektligj të njëanshëm dhe të destinuar për dështim”.

Senatorët demokratë e bllokuan projekligjin para se të fillonte pushimi shtatë-javor i Kongresit. Anëtarët e të dyja partive ia hodhën fajin palës kundërshtare.

“Është e papranueshme të mos jemi në gjendje të zgjidhim këtë krizë të rëndësishme të kujdesit shëndetësor”.

Pritet që Zika të përhapet përtej Floridës.

“Miami ka një klimë të përafërt me Hjustonin. Të njëjtat mushkonja si Hjustoni dhe kudo nëpër bregdetin jugor. Prandaj është urgjente”.

Ligjvënësit do të vazhdojnë me mosmarrëveshjet rreth financimit të betejës kundër Zikës kur të kthehen në Uashington në shtator. Tani për tani, qeveritë lokale dhe të shteteve duhet të bëjnë gjithçka që është e mundur për kontrollin e mushkonjave me aq fonde sa kanë për momentin.

XS
SM
MD
LG