Lidhje

Zgjedhjet Presidenciale në Zimbabve


Nuk pati festime të mëdha sot në kryeqytetin Harare të Zimbabvesë, një ditë pasi presidenti Robert Mugabe fitoi përsëri një mandat tjetër pesë vjeçar në këtë post. 89 vjeçare Mugabe ka qënë në pushtet për 33 vjet dhe u shpall fitues i zgjedhjeve që rivali i tij Morgan
Tsvangirai thotë se ishin thellësisht të manipuluara. Kryeministri i Zimbabves Morgan Tsvangirai po përgatit një sfidë ligjore pasi komisioni zgjedhor shpalli se zgjedhjet i kishte fituar kundërshtari i tij.

“Robert Gabriel Mugabe, i partisë ZANU-PF ka fituar më shumë se gjysmën e votave në zgjedhjet presidenciale. Kështu që, Robert Gabriel Mugabe deklarohet presidenti i zgjedhur i Republikës së Zimbabves.”

Partia e presidentit Mugabe, fitoi gjithashtu më shumë se dy të tretat e vendeve në parlament. Zoti Tsvangirai tha se zgjedhjet ishin të manipuluara. Ai i bëri thirrje përkrahësve për vetëpërmbajtje, sepse i druhet përsëritjes së dhunës që pasoi një votim të kontestuar në vitin 2008.

“Populli ynë është një popull i disiplinuar. Nuk zgjidhen problemet me dhunë. Në fakt, jemi në këtë fazë për shkak të disiplinës së popullit tonë. Po të ishte një vend tjetër, ata do i kishin vënë zjarrin ndërtesës. Por ata nuk zgjodhën ta bënin atë sepse e dinë se ne nuk duam ta zgjedhim krizën me dhunë.”

Zoti Tsvangirai tha se partia e tij Lëvizja për Ndryshim Demokratik ka të dhëna që vërtetojnë manipulimin e votimeve.

Komuniteti ndërkombëtar gjithashtu ka shprehur shqetësime rreth besueshmërisë së zgjedhjeve.

Sekretari amerikan i shtetit John Kerry tha se Shtetet e Bashkuara nuk besojnë se rezultatet e saposhpallura përfaqësojnë dëshirën e popullit të Zimbabves.
XS
SM
MD
LG