Lidhje

Zjarret e stinës djegin 500 hektarë pyje


Autoritetet shqiptare kanë kërkuar ndihmën e vendeve fqinje për mjete fluturuese që të ndërhyjnë nga ajri



Zjarret po dëmtojnë hapësira të gjera pyjesh dhe tokash në Shqipëri gjatë kësaj periudhe të nxehtë të gushtit. Sipas të dhënave më të fundit, deri tani janë djegur mbi 500 hektarë pyje nga rreth 30 vatra zjarri, pjesa dërrmuese e të cilave janë të vendosura qëllimisht nga banorët, bujq dhe blegtorë që besojnë se kështu u bëjnë mirë kullotave.

Drejtoria e emergjencave civile bëri të ditur se pothuaj në të gjitha zonat e vendit janë ende aktive 16 vatra zjarri, por shumica e tyre janë përqëndruar në veri. Në Qarkun e Dibrës veprojnë 5 vatra zjarri, kryesisht me dëme më të mëdha në parkun kombëtar të Lurës. Mbi 40 forca civile dhe ushtarake po punojnë pa ndërprerje për të shuar këto zjarre në Lurë, Sllovë, Kala të Dodës dhe Selishtë.

Në Qarkun e Kukësit janë ende 3 vatra zjarri aktive në Zapod, Arrën dhe malin e Gjallicës. Shkodra dhe Lezha kanë së bashku 4 vatra zjarri që po dëmtojnë pyjet në malin e Tërbunit, në Iballë, Miliskajë dhe Pukë. Zjarri në malin e Tërbunit vlerësohet se është ende jashtë kontrollit, sepse është në një lartësi të madhe dhe nuk mund të ndërhyhet.

Në Elbasan vazhdon po ashtu zjarri në malin e Sopotit pranë komunës Stravaj. Autoritetet njoftojnë për 3 zjarre edhe në Gjirokastër, Dropull dhe Koshovicë. Situata e vatrave të zjarrit ndryshon me shpejtësi për shkak të terreneve të thepisura malore ku ato bien, dhe favorizimit nga erërat dhe temperaturat e larta. Në Korçë po ashtu vazhdojnë zjarret në pyllin me pisha të Kolonjës, rreth 5 km në vijë ajrore nga kufiri me Greqinë. Aty janë djegur rreth 62 ha pyll.

Forca të shumta të policisë pyjore, ushtrisë dhe banorëve kanë ndërhyrë në shuarjen e këtyre zjarreve që shpesh kanë rrezikuar edhe banesat e lagjeve të ndryshme në komuna. Ato po veprojnë pa pushim 24 orë për të shpëtuar masivet me pisha, dhe për të garantuar shuarje të plotë, sepse zjarret herë fiken dhe herë riaktivizohen.

Autoritetet shqiptare kanë kërkuar ndihmën e vendeve fqinje për mjete fluturuese që të ndërhyjnë nga ajri. Tashmë ato kanë një traditë bashkëpunimi në emergjenca, sepse çdo vit që përsëriten zjarre veijnë helikopterë nga Italia apo Greqia. Megjithatë sivjet zjarret janë përhapur në disa zona me lartësi të madhe ku as këto mjete fluturuese nuk mund të veprojnë.
XS
SM
MD
LG