Lidhje

Zjarre shkatërrimtare në Meksikën veriore dhe shtetet e jugut amerikan

  • Greg Flakus

Zjarre shkatërrimtare në Meksikën veriore dhe shtetet e jugut amerikan

Zjarre shkatërrimtare në Meksikën veriore dhe shtetet e jugut amerikan

Kushtet e thatësirës dhe erërat e fuqishme kanë shkaktuar zjarre shkatërrimtare në Meksikën veriore dhe shtetet e jugut amerikan, veçanërisht në Teksas, ku dhjetra shtëpi janë djegur gjatë ditëve të fundit. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Greg Flakus nga Hjustoni, moti i thatë po ndikon gjithashtu tek bujqësia cka mund të sjellë rritje të cmimeve të ushqimit.

Zjarre që lëvizin me shpejtësi përshkuan gati 32 mijë hektarë tokë në fermat e Teksasit perendimor përreth Fort Dejvisit të shtunën dhe të djelën e kaluar duke vrarë bagëtitë dhe kuajt dhe duke lenë kullotat të djegura dhe në tym. Zjarret arritën zonat e populluara pranë Fort Dejvisit, duke shkatërruar 24 shtëpi.Zëdhënësi i Departamentit të Zjarrëfikësave në Fort Dejvis, Xhim Fouler thotë se njerëzve që iu dogjën shtëpitë u larguan të padëmtuar dhe janë strehuar përkohësisht.

"Kryqi i Kuq po merret me këtë përpjekje. Ata po shpërndajnë kupona për hotele dhe ushqime falas. Gjithashtu një numër hotelesh në qytet po i strehojnë këta njerëz falas".

Fouler thotë se disa lopë dhe kuaj u bllokuan nga zjarri dhe nuk arritën të shpëtonin. Ai thotë se ekipet e shpëtimit që patrullojnë terrenin e djegur rural gjetën eshtrat e kafshëve në disa vende. Fouler thotë se erërat e fuqishme e bëjnë të vështirë për zjarrëfikësit të kontrollojnë flakët dhe se thatësira dhe moti me erë mund të zgjasin për disa javë.

"Në këtë periudhë në pranverë, kemi patur tradicionalisht erëra të fuqishme dhe mot të thatë, pra ky është sezon zjarresh. Nga studimi që i kemi bërë motit në një periudhë afatgjatë dhe nga kërkime të tjera kemi konstatuar se nuk do të kemi rreshje shiu deri në periudhën normale të shirave në korrik dhe gusht".

Klimatologu dhe shkencëtari i kushteve atmosferike në Universitetin A&M të Teksasit Xhon Nilsen-Gamon thotë se kushtet që sjellin zakonisht rrezik në perëndimin e Teksasit janë tani prezente në shumë pjesë të tjera të këtij shteti.

"Marsi ishte muaji më i thatë i regjistruar në këtë shtet dhe pranvera është periudha e erërave më të fuqishme. Të gjitha këto e bëjnë rrezikun nga zjarri ekstrem për Teksasin këtë vit".

Zjarrfikësit i kanë vënë nën kontroll zjarret që filluan fundjavën e kaluar por jo para se të shkatërronin më shumë se 30 shtëpi dhe të digjnin më shumë se 6 mijë hektarë tokë vathash dhe fermash. Cilësia e ajrit përgjatë kufirit Meksikë-SHBA u ndikua nga tymi që vinte nga zjarret e mëdha në shtetin verior të Koahuilës në Meksikë. Ndërsa erërat e fuqishme janë prezente në pjesën më të madhe të Teksasit, departamentet e zjarrfikësve dhe ekipet e emergjencës po vëzhgojnë nga afër zonat ku kushtet mund të fillojnë zjarre.

Klimatologu Nilsen-Gamon thotë se thatësira po ndikon gjithashtu disa nga zonat më të mira bujqësoretë këtij shteti.

"Nuk kemi një fillim të mirë. Kushtet në pjesën lindore dhe qëndrore të Teksasit, që janë tani më të goditurat nga thatësira, janë si në mes të verës, duke humbur komplet stinën e pranverës. Do të varet shumë nga sa sasi shiu do të kemi gjatë dy muajve të ardhshëm pasi maji dhe qershori janë zakonisht muajt më me shira të vitit në këtë shtet".

Nielsen-Gammon thotë se pjesa më e madhe e drithërave të Teksasit është dëmtuar dhe se çmimet e ushqimit ka të ngjarë të rriten. Ai thekson se mesatarisht gjatë pesë muajve të kaluar ka rënë vetëm 12 centimetra shi, sasia më e vogël e shirave që nga viti 1967. Teksasi është prodhusi më i madh i bagëtive në Shtetet e Bashkuara dhe prodhuesi i dytë më i madh i grurit të dimrit.

Klimatologu i shtetit të Teksasit thotë se ngrohja globale mund të ketë luajtur gjithashtu rol që temperaturat në muajt e verës në Teksas kanë qënë më të larta gjatë disa dekadave të fundit.

Kushtet e thatësirës po shkaktojnë gjithashtu probleme për shumë shtete jugore si Nju Meksiko, Kolorado, Oklahoma si dhe shtetin e Kansasit. Çmimet e grurit në tregun e Çikagos për porositë në të ardhmen u rritën me gati 50 përqind gjatë vitit të kaluar, pjesërisht për shkak të thatësirës në Australi dhe Rusi që nuk arritën të merrnin sasinë e zakonshme të grurit. Ndërsa kushtet e thatësirës vazhdojnë në jug të Shteteve te Bashkuara, ka patur shira të shumtë më në veri. Ekspertët thonë se përmbytjet në fushat e Dakodës së Veriut dhe Kanada, të kombinuara me thatësirën shtatërruese në jug, mund të bëhen shkak për ngritjen edhe më tej të çmimeve.

XS
SM
MD
LG