Lidhje

Banorët e zonave rurale të Greqisë, viktimat e harruara të krizës


Banorët e zonave rurale të Greqisë, viktimat e harruara të krizës
Banorët e zonave rurale të Greqisë, viktimat e harruara të krizës

Imazhet e trazirave dhe grevave në Athinë kanë bërë xhiron e botës, ndërkohë që Evropa përpiqet të shpëtojë Greqinë nga falimentimi. Por grekët në zonat rurale të vendit thonë se problemet financiare po i godisin ata më rëndë se sa të tjerët dhe se kanë mbetur të mospërfillur nga qeveria.

...Kjo është Maqedonia Perëndimore në malet veriore të Greqisë. Këtu, erërat e ftohta ekonomisë në krizë ndihen më tepër se kudo.

Qyteti Ptolemaida ia detyron ekzistencën e tij një industrie të vetme, asaj elektrike. Në faqet e kodrave shikon oxhaqet e termocentraleve. Aty këtu, peizazhin e thyejnë minierat të cilat furnizojnë uzinat me linjit ose qymyrin ngjyrë kafe.

Kompania elektrike është në pronësi të shtetit. Të ardhurat e saj janë në rënie dhe kësaj i shtohen edhe shkurtimet qeveritare. Për punëtorët, kjo parashikon katastrofë.

Në qytetin e afërt të Kozanit, Lefteris Ionadis është mes drejtuesve të grupit aktivist, "Lëvizja e Pavarur e Kozanit."

"Ekonomia jonë varet nga industria e qymyrit prej vitesh. Shumica e njerëzve që jetojnë këtu kanë qenë të punësuar në miniera, dhe industritë e të tjera u lanë pas dore. Bizneset private rropaten prej dekadash dhe ekonomitë rurale janë goditur rëndë."

Ky rajon ka shkallën më të lartë të papunësisë në Greqi, 17 përqind. Si një nga zonat më të varfëra të Evropës, ai merr subvencione të mëdha nga Bashkimi Evropian.

Qeveria ka në plan të shesë ndërmarrjet shtetërore për të ndihmuar në pagimin e borxheve.

Njerëzit këtu thonë se janë të frikësuar për të ardhmen që i pret.

"Gjendja këtu është bërë shumë keq. Punë nuk ka. Çdo gjë po prishet."

"Unë jam studente. Jam fare e sigurt se nuk do të gjej dot punë kur të diplomohem. Jam po aq e sigurt se kurrë nuk do të kem pension në jetë. Pra, në këtë moment ne thjesht po presim ndonjë dhuratë nga Perëndia. "

Kryetari i Bashkisë së Kozanit quhet Lazaros Malutas. Ai thotë se masat e ashpra po sjellin pasoja të rënda për ekonominë.

"5,5 miliard euro po i hiqen ekonomisë në një vend kaq të vogël si i yni. Nëse masa të tilla shtrënguese vihen në zbatim, vendi do të zhytet thellë e më thellë në recesion. Ne kemi nevojë për investime. "

Lefteris Ionnadis, i cili vëzhgon ndikimin e minierave dhe termocentraleve mbi mjedisin, thotë se qeveria nuk duhet t’i braktisë planet për t’i kthyer termocentralet në qendra prodhimi të energjisë së përtëritshme.

"Nga pikëpamja etike, kompania elektrike duhet ta financojë këtë tranzicion, sepse ishin ata që shfrytëzuan për një kohë të gjatë burimet tona natyrore dhe pasuritë minerare. Sipas llogaritjeve tona, një kompensim i tillë mund të krijojë, vetëm në industrinë e gjelbër 3.000 vende pune në 10 vitet e ardhshme. "

Kriza ekonomike ka çuar në protesta të dhunshme dhe greva në Athinë - imazhet e të cilave shihen prej muajsh kudo në botë.

Por përtej kryeqytetit, në skajet e largëta të Greqisë, shumë njerëz thonë se në fakt janë ata viktimat e vërteta të krizës borxhit.

XS
SM
MD
LG