Lidhje

Zuckerberg rrit angazhimin në filantropi


Komuniteti filantropik mirëpriti lajmin se Mark Zuckerberg do t’i përdorë 99 përqind të aksioneve që ka në Facebook, vlerave e të cilave është aktualisht rreth 45 miliard dollarë, për një projekt të ri filantropik që përqendrohet tek potenciali njerëzor dhe barazia.

Mark Zuckerberg, themelues dhe drejtues i kompanisë Facebook, dhe bashkëshortja e tij, Priscilla Chan dje njoftuan përmes një letre për vajzën e tyre të porsalindur se do të japin 99 përqind të aksioneve të tyre që tani vlejnë rreth 45 miliard dollarë.

Plani, i cili u publikua në faqen e tij të Facebookut dhe është përlqyer nga më shumë 360,000 njerëz, pason veprime të ngjashme nga miliarderë të tjerë të profilit të lartë si Warren Buffett dhe Bill dhe Melinda Gates, të cilët kanë themeluar fondacione për të dhënë pjesë të pasurive të tyre për përpjekje të ndryshme filantropike.

John Kobara i Fondacionit Komuniteti i Kalifornisë, një nga fondacionet më të mëdha bamirëse në Shtetet e Bashkuara, përshëndeti lajmin.

"Nuk u befasova, sepse kur ke një pasuri kaq të madhe dhe mund të dhurosh 45 ose 46 miliardë dollarë, nuk ka pse të mos ta dhurosh pjesën më të madhe të parave. Por unë mendoj se kjo është gjë e mirë pasi vendos një standard dhe një shembull për njerëzit e tjerë që edhe ata të japin. Mark Zuckerberg ka qenë bujar edhe në të kaluarën dhe tani ai po jep një mesazh duke dhënë pothuajse gjithë pasurinë e tij për filantropi", tha zoti Kobara.

Ky nuk është veprim i parë filantropik i zotit Zuckerberg. Në moshën 26 vjeçare, ai nënshkroi për fushatën “Giving Pledge” ose Premtimi për të dhënë, e cila fton individët dhe familjet e pasura të botës që të japin më shumë se gjysmën e pasurisë së tyre për synime filantropike apo bamirësie gjatë jetës së tyre.

"176 miliarderë kanë premtuar tashmë të japin gjysmën e pasurisë së tyre përmes fushatës “Giving Pledge” dhe kjo është shumë e dobishme", thotë zoti Kobara.

Investitori miliarder Warren Buffett, i cili falënderoi Mark Zuckerbergun në Facebook për zotimin e tij, premtoi në vitin 2006 se aksionet e kompanisë së tij Berkshire Hathaway me vlerë prej 31 miliard dollarësh do t’i jepeshin Fondacionit Gates, ky ishte donacioni më i madh deri në atë kohë.

Zuckerberg, i cili do të kontrollojë iniciativën e re dhe do të mbetet në krye të rrjetit social më të madh të internetit në botë, tha se do të shesë apo të japë deri në 1 miliard dollarë në aksione në secilin nga tre vitet e ardhshme.

Në lagjen Venice të Los Anxhelesit që ndodhet në brigjet e Paqësorit, njerëzit përshëndetën lajmin.

"Unë mendoj se është një ide e mirë. Mendoj se në qoftë se ke pasuri të tepërt, duhet të japësh një pjesë të saj për njerëzit që kanë nevojë", thotë Claire Delohely nga Sidni i Australisë.

Eric Decker, nga Çikago, thotë se edhe pjesa e mbetur prej një përqind e aksioneve të Zuckerbergut është një pasuri shumë e madhe:

"Jam i sigurt se një përqindshi që do t’i mbetet atij do të jetë mëse i mjaftueshëm për fëmijët e tij. Pra, nuk shoh asgjë të keqe nga kjo", tha ai.

Për të dhënë lajmin për lindjen e fëmijës së tij të parë, Zuckerberg postoi në faqen e tij në Facebook një foto të tij me bashkëshorten dhe vajzen e tyre të re, Maxima, së bashku me një mesazh të titulluar "Një letër për vajzën tonë".

Në këtë letër, zoti Zuckerberg dhe zonja Chan përmendin ndihmën për shëndetësinë, arsimin, qasje në internet dhe shkollimin para se të njoftonin Iniciativën Chan Zuckerberg, e cila synon të "avancojë potencialin njerëzor dhe të promovojë barazinë".

Nisma e tyre do të fillojë punën duke u fokusuar në përpjekjet për gjetjen e kurave për sëmundjet, qasjen në internet, ndërtimin e komuniteteve dhe arsimimin përmes teknologjisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG