Lidhje

Zvicra i dorëzon autoriteteve të Serbisë një shqiptar të akuzuar për krime lufte


Autoritetet zvicerane i kanë dorëzuar autoriteteve të Serbisë një shqiptar të akuzuar nga gjykatat serbe për krime lufte në Kosovë. Shemsi Nuhiu, me prejardhje nga Lugina e Preshevës, është arrestuar në prill të vitit të kaluar në Zvicër, në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga autoritetet serbe, të cilat e akuzojnë atë për përfshirje në krime lufte kundër civilëve në komunën e Gjilanit në Kosovë, në përfundim të luftës së vitit 1999.

Sipas akuzave të ngritura nga gjykatat në Serbi, Shemsi Nuhiu dhe 16 shqiptarë të tjerë ngarkohen për vrasjen e 80 civilëve serbë dhe rrëmbimin e 150 të tjerëve në fund të luftës në Kosovë. Nëntë prej të akuzuarve janë dënuar me nga tetë deri në 15 vjet heqje lirie lidhur me këto akuza. Ata ishin arrestuar në dhjetor të vitit 2008 gjatë një operacioni në Luginën e Preshevës duke nxitur reagime të ashpra të shqiptarëve të zonës.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç, ka theksuar se me dorëzimin e zotit Nuhiu ka fituar drejtësia. Autoritetet në Kosovë u kishin bërë thirrje zyrtarëve të Zvicrës që të mos e dorëzojnë zotin Nuhiu që ka shtetësi të Kosovës dhe të Zvicrës në Serbi.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG