Lidhje

Zyrtarët amerikanë po shqyrtojnë disa mundësi për konfliktin në Libi

  • Andre Nesnera

Zyrtarët amerikanë po shqyrtojnë disa mundësi për konfliktin në Libi

Zyrtarët amerikanë po shqyrtojnë disa mundësi për konfliktin në Libi

Zyrtarët amerikanë po shqyrtojnë disa mundësi për konfliktin në Libi, duke përfshirë vendosjen e një zone të ndalim fluturimit në hapësirën ajrore të vendit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Andre de Nesnera i hedh një vështrim çështjeve me të cilat përballen zyrtarët që bëjnë planet ushtarake.

Gjatë 20 vjetëve të fundit, koalicionet ndërkombëtare kanë vendosur zona të ndalim fluturimit mbi Bosnjen për dy vjet gjatë mesit të viteve 1990 dhe mbi Irakun verior dhe jugor nga viti 1991 deri në vitin 2003. Zonë ndalim fluturimi konsiderohet një hapësirë ajrore në të cilën disa lloje aeroplanësh, veçanërisht ata ushtarakë, nuk lejohet të fluturojnë.

Tani kanë filluar bisedimet për vendosjen e një tjetër zone ndalim-fluturimi, këtë herë mbi Libi.
Shumë vende evropiane, planifikuesit ushtarakë amerikanë dhe Lidhja Arabe po shqyrtojnë mundësinë e kësaj alternative. Por të tjerë, si Rusia dhe Kina, kanë shprehur rezerva.

Kapiteni në pension i Marinës Tom Parker, i cili drejtonte aeroplanët që patrullonin zonën e ndalim fluturimit mbi Bosnjë, thotë se para se të shqyrtohet mundësia e një zone ndalim fluturimi mbi Libi, duhet t’u jepet përgjigje disa pyetjeve kyçe.

"Pyetja e parë është cili do të jetë objektivi? A ka të bëjë me mbrojtjen e popullit, apo me rrëzimin e kolonel Gadafit. A bëhet kjo për të siguruar ndihmat për rebelët, kushdo qofshin ata, sepse kjo ende nuk dihet. Apo nëse objektivi është kombinim i këtyre çështjeve. Pra pyetja është: çfarë duam të arrijmë?”

Gjenerali në pension i Forcave Ajrore Dejvid Deptula, i cili ka fluturuar në më shumë se 80 misione të tilla në zbatim të zonës së ndalim fluturimit në Irak, është dakort.

"Njerëzit ofrojnë zonën e ndalim fluturimit si zgjidhje, por ata ende nuk kanë përcaktuar problemin dhe rezultatin e dëshiruar nga kjo masë.”

Gjenerali Deptula thotë se mes pyetjeve të tjera që ngrihen janë rregullat e angazhimit. A do të mbulojë zona e ndalim fluturimit të gjithë Libinë, apo vetëm zonat e pushtuara nga forcat e Gadafit? Kush do të përfshihet në zbatimin e saj dhe për sa kohë?

Kapiteni Parker thotë se sapo të zgjidhen këto çështje fillon puna e vërtetë.

"Këtu puna ndërlikohet, sepse nevojiten shumë aeroplanë: nevojiten aeroplanë luftarakë, tankesh, dhe survejimi. Nevojitet një plan. Duhet të jemi në gjendje të komunikojmë me të gjithë aeroplanët që do të marrin pjesë, dhe të bashkërendojmë veprimet e tyre. Prandaj, megjithëse vendosja e një zone ndalim fluturimi është e mundur, ka vështirësi. Është e ndërlikuar, e kushtueshme dhe ndoshta edhe e rrezikshme, sepse të paktën në letër, libianët kanë të paktën 200 raketa kundër-ajrore, disa prej tyre shumë të afta, sisteme të vjetra, veçanërisht ato sovietike SA-6."

Megjithatë, Peter Felsted, redaktor i London’s Jane’s Defense Weekly, thotë se shumë prej raketave kundër-ajrore sovietike mund të jenë prishur tashmë.

"Janë paisje të vjetra dhe nuk ka shumë profesionistë që mund t’i operojnë ato. Megjithatë, nëse ka qoftë edhe një raketë në gjendje funksionale dhe aktive, atëherë kjo do të përbënte rrezik.”

Si Gjeneral Deptula ashtu edhe Kapiteni Parker thonë se çdo veprim ushtarak kundër Libisë, përfshirë vendosjen e një zone ndalim fluturimi, duhet të ketë miratimin e komunitetit ndërkombëtar, që do t’i jepte legjitimitet misionit.

Ata thonë se do të ishte ideale nëse Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të miratonte një rezolutë që mbështet zonën e ndalim fluturimit. Por dy anëtarë të përhershëm të Këshillit, Rusia dhe Kina, thonë se nuk janë dakort me një masë të tillë.

Zoti Parker thotë se e kupton si mendojnë disa vende.

"Një nga arsyet pse vendet janë të rezervuara është sepse shtrojnë pyetjen: ku përfundon kjo çështje? Kur shpall fitoren? Kur arrin synimin dhe si do të matet efikasiteti? Nëse vendosim një zonë ndalim fluturimi, a do të zgjasë kjo një javë?"

Apo do të zgjasë për vite me radhë, thotë zoti Parker, siç ndodhi në Irak.

Nga ana e tij, Gjenerali Deptula shtron pyetjen – në emër të kujt do të veprojë komuniteti ndërkombëtar në vendosjen e një zone ndalim fluturimi mbi Libi?

"Kush është autoriteti në emër të të cilit po zhvillohet rezistenca kundër Gadafit dhe po kërkon mbështetje? Kush është udhëheqësi i tyre dhe si mund të sigurohemi ne se ata nuk janë po aq të këqinj apo ndoshta edhe më keq se Gadafi kur të vijnë në pushtet?”

Zoti Deptula thotë se nëse Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk arrin të miratojë një rezolutë për zonën e ndalim fluturimit, atëherë grupe tp tjera mund t’i japin legjitimitet një veprimi të tillë. Ai thotë se NATO-ja ose Bashkimi Afrikan mund të kërkojnë zonë ndalim fluturimi mbi Libi dhe kjo do të mjaftonte për vendosjen e kësaj mase.

XS
SM
MD
LG