Lidhje

Zyrtarët: Natyra e kërcënimeve terroriste ka ndryshuar që nga viti 2001


Zyrtarët: Natyra e kërcënimeve terroriste ka ndryshuar që nga viti 2001
Zyrtarët: Natyra e kërcënimeve terroriste ka ndryshuar që nga viti 2001

Zyrtarët amerikanë të kundërterrorizmit thonë se kanë gjetur shumë rrugë për parandalimin e sulmeve terroriste. Por, ata gjithashtu thonë se natyra e kërcënimeve terroriste ka ndryshuar shumë që nga vitit 2001.

Disa analistë kanë thënë se Shtetet e Bashkuara janë me fat që i kanë shpëtuar sulmeve të mëdha terroriste që nga sulmet me aeroplanë kundër Qendrës Botërore të Tregëtisë dhe Pentagonit të vitit 2001.

Me 25 dhjetor të vitit të kaluar, Umar Farouk Abdulmutallab u përpoq të aktivizonte një bombë të fshehur në mbathjet e tij ndërkohë që udhëtonte nga Amsterdami në Detroit të Miçiganit, por bomba nuk u aktivizua. Në të njejtën mënyrë, një bombë e fshehur në një makinë të parkuar në Sheshin Times Square në Nju Jork me 21 qershor gjithashtu nuk shpërtheu. Dhe në tetor u zbuluan bomba në pakot e ngjyrave të printerëve në dy aeroplanë para se ato të shpërthenin.

Në një fjalim kohëve të fundit drejtori i Qendrës Kombëtare të Anti-terrorizmit Michael Leiter tha se masat agresive kundër terrorizmit kanë minimizuar por nuk i kanë eliminuar kërcënimet terroriste.

“Pavarësisht sfidave me të cilat ndeshemi, ne kemi bërë përmirësime të mëdha. Sipas mendimit tim, si rezultat i masave që kemi marrë, sot kërcënimet për sulme të mëdha dhe vdekjeprurëse janë ulur në krahasim me kërcënimet që kemi patur në vitin 2001. Por duhet theksuar se kërcënimet nuk janë zhdukur.”

Por ai shtoi se duhet pranuar se në të ardhmen terroristët mund të kryejnë një sulm të suksesshëm.

“Unë dhe organizata për të cilën punoj jemi të përkushtuar në parandalimin e sulmeve terroriste. Por duhet të jemi të sinqertë që mund të ketë gjëra që mund të na shpëtojnë. Në këtë kohë kërcënimet janë më të ndërlikuara dhe më të larmishme, me sulme të vogla, ku përfshihen individë të cilët janë radikalizuar këtu në vendin tonë, prandaj këto elemente e bëjnë më të vështirë ndalimin e sulmeve.”

Zyrtarët dhe analistët thonë se ka grupe të reja dhe më të decentralizuara të al-Kaidës operacionet e të cilave nuk kontrollohen drejtpërdrejt nga udhëheqësit e al-Kaidës, dhe një numër i vogël por në rritje i radikalëve brenda vendit të cilët është më vështirë të zbulohen.

Udhëheqja e al-Kaidës besohet se është duke u fshehur diku në malet e larta të rajoneve fisnore në Pakistan. Zoti Leiter thotë se disa grupe që kanë dalë në skenë janë frymëzuar nga al-Kaida por nuk marrin urdhëra nga udhëheqësit e al-Kaidës.

“Këto grupe nuk varen nga lidhjet e tyre me udhëheqjen e lartë të al-Kaidës në Pakistan. Në fakt, ato janë organizata më të pavarura dhe të vetë-financuara. Këto organizata kanë një lloj varësie të rëndësishme nga udhëheja e lartë e al-Kaidës, unë nuk dua ta nënvlerësoj këtë, por në shumë aspekte, veçanërisht grupet e al-Kaidës në Gadishullin Arab, operojnë me një nivel më të madh pavarësie.”

Si bazë kryesore e al-Kaidës në Gadishullin Arab, Jemeni po bëhet gjithnjë e më i njohur për terroristët, thonë zyrtarët, dhe po tërheq vëmendjen e zyrtarëve të zbulimit.

Ish zëvendës drejtori i CIAs John McLaughlin thotë se kontrollet në aeroporte dhe dokumentat e imigracionit janë shtuar. Al-Kaida dhe grupet tjera tani po kërkojnë radikalizimin e qytetarëve amerikanë ose banorëve të përhershëm, të cilët mund ta kenë më të lehtë të lëvizin.

“Ata i kanë studiuar pikat tona të dobëta. Pastaj i kanë studiuar dobësitë e tyre sepse e dinë se ne mund t’i kapim nëse ata udhëtojnë apo komunikojnë mes tyre. Kështu që kur ata vendosin pako në aeroplan, ata nuk kanë nevojë të komunikojnë apo të udhëtojnë. Ata gjithashtu e dinë që kur udhëtojnë me pasaporta të caktuara e zbulojnë veten, prandaj gjithnjë e më shumë kemi vërejtur përdorimin e shtetasve amerikanë në operacionet e tyre.”

Por McCaughlin gjithashtu beson se kercënimet terroriste në një masë kanë humbur dimensionin e tyre fetar.

“Nuk besoj se shumë nga njerëzit të cilët angazhohen në veprimtari terroriste këto ditë janë aq të motivuar nga bindjet e thella fetare. Mendoj se një numër i madh i tyre janë të motivuar nga ndjenja e armiqësisë, dëshira për të qënë pjesë e një grupi që lufton për një kauzë. Prandaj ata i bashkohen disa grupeve terroriste që e prezantojnë veten në mënyrë tërheqëse përmes pamjeve filmike apo mediumeve tjera.”

Analistët McLaughlin dhe Leiter janë dakord se FBI ka shënuar përmirësime në zbulimin dhe menjanimin e sulmeve terroriste. Por, ata thonë se FBI duhet të jetë e kujdesshme në mbledhjen e të dhënave të shtetasve amerikanë, në mënyrë që mos të shkelë liritë civile ose të ofendojë ndjenjat e komunitetit mysliman amerikan.

XS
SM
MD
LG