Lidhje

Zyrtarët: Nuk ka të çara në koalicionin ndërkombëtar

  • Zëri Amerikës

Zyrtarët: Nuk ka të çara në koalicionin ndërkombëtar

Zyrtarët: Nuk ka të çara në koalicionin ndërkombëtar

Kreu i Lidhjes Arabe tha se e respekton rezolutën e Kombeve të Bashkuara që autorizon veprime ushtarake në Libi, pas komenteve të tij të mëparshme që linin të kuptonin se ai ishte i shqetësuar për bombardimet. Ndërkohë, zyrtarët kryesorë të politikës së jashtëme evropiane hodhën poshtë zërat se në koalicionin që mbështet operacionin ushtarak kundër Moamar Gadafit janë shfaqur të çara.

Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Arabe Amr Musa tha se organizata që ai drejton nuk ka kundërshtime ndaj rezolutës së Kombeve të Bashkuara për Libinë, sidomos sepse ajo nuk bën fjalë për një pushtim të Libisë, sipas fjalëve të tij.

Ai i bëri komentet në një konferencë të përbashkët shtypi me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Moon në Kajro. Një ditë më parë, zoti Musa kishte bërë komente kritike lidhur me sulmet ajrore ndërkombëtare kundër Libisë.

Pas takimit që ata patën në selinë e Lidhjes Arabe, një grup protestuesish të zemëruar me ndërhyrjen ndërkombëtare në Libi, u përpoqën të pengojnë daljen e zotit Ban nga selia e Lidhjes. Kreu i OKB-së u kthye në ndërtesë dhe u largua nga një dalje tjetër.

Ndërkohë, zyrtarja kryesore e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, hodhi poshtë shqetësimet se në koalicionin perëndimor janë shfaqur të çara dhe shtoi se komentet e Lidhjes Arabe që kritikonin operacionin në Libi ishin keqkuptuar.

Zonja Catherine Ashton tha se Sekretari i Lidhjes, Amr Mussa, është shprehur shumë qartë duke ofruar mbështetje mbi bazën e asaj që u propozua.

“Me sa kuptoj, zoti Musa u citua gabim”, tha zonja Ashton pa dhënë hollësi.

Por ministri i jashtëm gjerman, Guido Vestervele, solli komentet e zotit Musa si provë se vendimi gjerman për të mos marrë pjesë në operacion ishte i justifikuar.

“Kjo nuk do të thotë se ne jemi të paanshëm apo se kemi simpati ndaj diktatorit Gadafi. Kjo do të thotë se ne i shohim rreziqet dhe, kur dëgjojmë komentet e Lidhjes Arabe, shohim se kemi patur të drejtë për shqetësimet tona”.

Katari u bë vendi i parë arab që merr pjesë në operacionin ndërkombëtar.

Ambasadorët e NATO-s do të zhvillojnë sot një raund tjetër bisedimesh lidhur me një pjesmarrje të mundshme të Aleancës në operacionet ajrore.

XS
SM
MD
LG