Lidhje

Zyrtarët: Pakistani ka nevojë për miliarda dollarë ndihma pas përmbytjeve


I dërguari pakistanez pranë Kombeve të Bashkuara thotë se vendi i tij ka nevojë për miliarda dollarë ndihma për rindërtim pas përmbytjeve masive që shkatërruan infrastrukturën. Në komentet që bëri sot në Gjenevë, ambasadori Zamir Akram parashikoi se 2.5 miliardë dollarë nevojiten për të rehabilituar vetëm rajonin verior të vendit. Ai parashikoi një periudhë të paktën 5 vjeçare për riparimin e dëmeve të përmbytjeve. Ndërkaq, zyrtarët amerikanë shprehen për një angazhim afat-gjatë për të ndihmuar Pakistanin të rimëkëmbet pas fatkeqësisë më të madhe natyrore në vend.

Helikopterë ushtarakë amerikanë po shpërndajnë ndihma për banorët në zonat e goditura më rëndë nga përmbytjet. Departamenti i Shtetit thotë se ndihmat amerikane për rajonet e prekura nga katastrofa arrijnë në 76 milionë dollarë.I dërguari i posaçëm amerikan Riçard Holbruk shpreh besimin se ndihma do të lërë gjurmë afat-gjata:

“Populli i Pakistanit do ta shohë se kur ka kriza, nuk reagojnë kinezët, nuk janë iranianët, nuk janë vendet e tjera. Nuk është Bashkimi Evropian por Amerika”.

Komenti ishte një mesazh i nënkuptuar në reagim të shkallëzimit të ndjenjave anti-amerikane në Pakistan.

Në një studim të Qendrës Studimore Pew, afro 60 për qind e pakistanezëve të anketuar e cilësonin Amerikën si vend armik.

Shumë prej tyre thonin se ishin kundër sulmeve të telekomanduara amerikane kundër ekstremistëve në zonat fisnore afër Afganistanit. Sipas të anketuarve, një numër i madh civilësh vriteshin në këto goditje.

Por disa banorë pakistanezë të Luginës Swat thanë për një rrjet televiziv amerikan se ishin mirënjohës për ndihmat ushqimore amerikane.

Banorët shprehen se Amerikan ndihmon njerëzit në nevojë dhe se kishin mbetur të çuditur nga ndihmat. Megjithatë shumë pakistanezë shprehin revoltim ndaj asaj që e cilësojnë si përgjigje e ngadaltë e qeverisë së tyre:

Të hënën, protestuesit në provincën Punjab dogjën goma dhe bllokuan rrugët.

Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për 460 milionë dollarë, por shoqatat e ndihmave theksojnë se përgjigja ka qenë pasive dhe është përmbushur deri tani vetëm 27 për qind e objektivit.

Dje në Bruksel një zëdhënës tha se Bashkimi Evropian po shqyrton dërgimin e ndihmave shtesë për Pakistanin:

“Duke qenë se përmasat dhe pasojat e përmbytjeve janë më të rëndat në 80 vjet, ka gjasa që ndihmat që ka miratuar deri tani Komisioi të mos jenë të mjaftueshme”.

Një tjetër shqetësim madhor mbeten epidemitë. Kombet e Bashkuara shprehen se 3.5 milionë fëmijë në Pakistan janë në rrezik nga sëmundje që përhapen përmes ujit. Një zëdhënës thotë se deri në 6 milionë vetë mund të jenë në rrezik nga diareja dhe dizenteria nëse nuk dërgohen ndihma të tjera. Ai paralajmëroi për kërcënimin e një vale të re vdekjesh pas katastrofës natyrore.

XS
SM
MD
LG