Lidhje

Rusia thotë se qeveria siriane ka rënë dakord për bisedime me opozitën

  • Zëri Amerikës

Rusia thotë se qeveria siriane ka rënë dakord për bisedime me opozitën

Rusia thotë se qeveria siriane ka rënë dakord për bisedime me opozitën

Rusia thotë se qeveria siriane ka rënë dakord të dërgojë një delegacion në Moskë për bisedime me aktivistë të opozitës siriane për zgjidhjen e trazirave disamujore në vendin arab.

Ministria e Jashtme ruse tha sot se shpreson që përfaqësuesit e opozitës siriane do të bien gjithashtu dakord për t’u takuar me qeverinë e Presidentit sirian Bashar al-Assad në kryeqytetin sirian. Por një anëtar i lartë i Këshillit Kombëtar Sirian i tha agjencisë së lajmeve Reuters se ky grup me peshë i opozitës nuk ka marrë një ftesë zyrtare për bisedimet në Rusi dhe gjithsesi do ta hidhte poshtë një ftesë të tillë.

Rusia i ka kërkuar komunitetit ndërkombëtar që të inkurajojë dialogun për të zgjidhur krizën siriane dhe jo veprime ndëshkuese nga Këshilli I Sigurimit të OKB-së kundër qeverisë së zotit Assad, i cili prej kohësh ka qenë një aleat i Rusisë dhe blerës i pajisjeve ushtarake ruse.

Fuqitë perëndimore dhe vendet arabe po hartojnë një projekt-rezolutë që do të mbështeste planin e Lidhjes Arabe sipas së cilit zoti Assad duhet t’ia kalojë pushtetin një zëvendësi dhe për formimin e një qeverie të bashkimit kombëtar. Kreu i Lidhjes Arabe Nabil Elaraby pritet t’ia paraqesë nismën Këshillit nesër.

Ndërkohë zyrtarët sirianë po fajësojnë për shpërthimin në një tubacion nafte sot “një grup terrorist”, ndërsa aktivistët njoftojnë se ka patur përleshje në zona të ndryshme të vendit. Agjencia shtetërore siriane e lajmeve tha se shpërthimi ndodhi pranë Telkalakit, pranë kufirit me Libanin. Që nga shpërthimi i kryengritjes kundër presidentit Bashar al-Assad, marsin e kaluar, në Siri ka patur sulme në disa tubacione nafte, por nuk është e qartë se cilët janë autorët e shpërthimeve. Për shkak të shpërthimeve, disa qytete siriane janë përballur me mungesa të energjisë.

XS
SM
MD
LG