Lidhje

Dhuna në familje, denoncimet shtohen ndjeshëm


Ndryshimet e Kodit Penal gjatë këtij viti e shpallin dhunën fizike dhe psikologjike në familje si një krim penal

Dhunës së shtuar në familjet shqiptare po i kushtohet tani më shumë kujdes nga gjykatat, policia dhe shoqatat. Statistikat policore flasin për një numër gjithnjë në rritje të denoncimeve nga gratë e dhunuara. Ndërsa shoqëria civile vlerëson pozitiv faktin se ndryshimet e Kodit Penal gjatë këtij viti e shpallin dhunën fizike dhe psikologjike në familje si një krim penal.

Vetëm në gjysmën e parë të këtij viti policia shqiptare ka regjistruar një mijë e njëqind denoncime të grave për dhunë në familje, 713 prej tyre kanë marrë urdhëra mbrojtjeje nga gjykata, ndërsa 44 burra i kanë shkelur këto urdhëra mbrojtje. Statistikat policore për dhunën në familje janë vazhdimisht në rritje të ndjeshme ndër vite, shpesh edhe me 50 për qind.



Në vitin 2008 ka 822 denoncime dhe 377 urdhra mbrojtjeje, në vitin 2009 janë 1217 denoncime për dhunë në familje dhe 841 urdhëra mbrojtje, në vitin 2010 janë 1998 denoncime dhe 1234 urdhëra mbrojtje, në vitin 2011 policia ka 2181 denoncime dhe 1345 urdhëra mbrojtje.

Shefja e sektorit për mbrojtjen e nënave dhe fëmijëve në drejtorinë e përgjithshme të policisë, Alma Gjurgji, thotë se “këto stastistika nuk tregojnë rritjen e dhunës, por tregojnë rritjen e guximit të grave për të denoncuar dhunën në familje. Denoncimet janë shtuar thotë ajo - sepse shteti forcoi ligjet kundër kësaj forme dhune, dhe policia ngriti struktura të veçanta që bëjnë maksimumin për t’i mbrojtur viktimat”.

Sipas saj, pjesa dërrmuese e këtyre dëshmojnë në polici se këto denoncime pasi vuajnë dhunën prej 5 apo më shumë vjetësh, pra kemi të bëjmë me një dhunë të fshehur shumëvjeçare, që denoncohet vetëm kur bëhet e rrezikshme dhe e padurueshme.

Përveç policisë, zonjat e dhunuara kërkojnë ndihmë edhe në organizatat joqeveritare, ku marrin mbrojtje, ndërmjetësim dhe avokati falas për proceset gjyqësore. Qendra për Nisma Ligjore dhe Qytetare është një nga më të njohurat dhe më aktivet në këtë fushë. Juristja Aurela Bozo, thotë se “denoncimet e grave për dhunë vazhdojnë dhe një ndihmë e madhe për to është fakti që parlamenti forcoi dënimet në Kodin Penal kundër dhunuesve. Ndryshimet ligjore të këtij viti i shpallin vepra penale me dënime të rrepta dhunën fizike, dhunën psikologjike dhe përndjekjen e viktimës nga familjari. Madje edhe shkelja e urdhërit të mbrojtjes dënohet me 2 vjet burg”.

Shkaqet e dhunës nuk janë rastësosre dhe as sipërfaqësore, thotë sociologu Gëzim Tushi. Ai mendon se “deri dje flitej shumë për emancipimin e grave, por dhuna tregon se tani duhen emancipuar burrat”. Sipas tij, dhuna në familje vjen sepse burrat nuk janë të gatshëm për t’u krijuar më shumë liri grave dhe fëmijëve. Ai thotë se “edhe më parë familja shqiptare ka qenë e varfër dhe konservatore, por nuk ka qenë kaq shumë e dhunshme sa sot. Kjo dhunë është një çështje kriminale dhe si e tillë duhet trajtuar nga të gjithë”.

Krahas rasteve të dhunës që denoncohen në polici, çdo vit në gjykata ndodhin edhe rreth 7 mijë divorce, shumica e tyre fryt i dhunës. Statistikat tregojnë se është rritur numri i femrave që kërkojnë divorcing, dhe kjo sipas sociologut Tushi, tregon se është rritur personaliteti i tyre. “Megjithatë, ky numër kaq i madh divorcesh - thotë ai - është pa kuptim dhe me kosto të pallogaritshme sociale. Por kjo tregon mendjelehtësinë e lidhjes së çifteve qysh nga fillimi, sepse është zbehur kultura e martesës, e cila duhet forcuar përsëri.

Sociologët pohojnë se varfëria nuk është faktor kryesor i dhunës në familje. Shumë familje të varfëra shqiptare jetojnë në harmoni, ndërsa shumë familje të pasura jetojnë rregullisht nën dhunën fizike dhe psikologjike të burrave.
XS
SM
MD
LG