Lidhje

Privatizimi i Albpetrolit


Avokati David Farber përfaqëson firmën amerikane Patton Boggs, këshilltare ligjore e qeverisë shqiptare në procesin e privatizimit

Albpetroli, firma e vetme shtetërore që shfrytëzon fushat e naftës në Shqipëri, është një nga pasuritë më të mëdha publike që po privatizohet. Firma fituese e tenderimit, koncorsiumi Vetro Energy, ka ofruar 850 milionë Euro për blerjen e Albpetrolit. Kjo firmë duhet të depozitojë tani në formë të paakthyeshme, 20 për qind të vleftës për të filluar negociatat me qeverinë shqiptare. Në këtë proces qeveria shqiptare ka marrë si këshilltar ligjor firmën amerikane Patton Boggs. Kolegu Arben Xhixho bisedoi me avokatin David Farber, lidhur me procesin e privatizimit të Albpetrolit.

VOA: Zoti Farber faleminderit për këtë intervistë. Albpetroli është një nga pasuritë më të rëndësishme që Shqipëria po privatizon, të paktën nga vlera monetare. A mund të na sqaroni fillimisht rolin që luajti firma juaj në këtë proces?



D. Farber: Patton Boggs, së bashku me partnerët tanë në Tiranë, studion e njohur ligjore Zaka-Kosta, shërbyen si këshilltarë të ministrisë së Energjitikës për privatizimin e Albpetrolit. Ky angazhim filloi para disa vitesh, na u desh kohë e gjatë të vijmë deri këtu, por sot jam i kënaqur që jemi në këtë fazë të projektit. Pra ne kemi shërbyer si këshilltarë së bashku me partnerin tonë lokal Zaka-Kosta.

VOA: A ishte firma juaj ajo që bëri vlerësimin e gjithë ofertave, duke i klasifikuar ato? Dhe si e bëtë ju renditjen?

D. Farber: Patton Boggs në partneritet me firmën Zaka-Kosta bën vlerësimin e ofertave. Siç e dini periudha e paraqitjes së ofertave u hap më 6 ose7 shtator dhe ne menjëherë filluam vlerësimin e tyre. Ofertat, me një përjashtim të vetëm, kishin paraqitur dokumente të shumta, kishim materiale të bollshme financiare për të vlerësuar. Firmat e interesuara paraqitën planin e biznesit 5 vjeçar, ne bëmë vlerësimin e tyre, i vlerësuam ofertat për nga kriteret teknike, në se i plotësonin ato apo jo, dhe pastaj vlerësuam çdo ofertë në tërësi. Patëm 6 oferta, bëmë vlerësimin për secilën prej tyre. Kriteret si pjesë e procesit të tenderimit, ishin bërë të njohura që në fillim, që kur u shpall privatizimi. Që atëhere u përcaktua se si do të bëhej vlerësimi dhe klasifikimi i çdo elementi të procesit të privatizimit. Bazuar në këtë proces, vlerësuam çdo ofertë dhe raportin përfundimtar ia dërguam ministrisë shqiptare me rekomandimin tonë.

VOA: Dy ndër elementët kryesorë vlerësues ishin kriteret teknike, pra përvoja e firmave në shfrytëzimin e fushave të naftës dhe kriteret monetare, pra sa para do të ofronin ato.

D. Farber: Po ashtu është.

VOA: Le të ndalemi tek secila prej tyre. Me atë që dini ju, kur u krijua firma YPO dhe çfarë përvoje teknike sjell ajo, që e kualifikon mbi të tjerat?

D. Farber: Po keni të drejtë. Kriteret u ndanë në dy kategori kryesore, në atë financiare, që ishte thjesht shuma që do të ofronin. Kriteri financiar do merte një vlerësim deri në 75 pikë ....

VOA: Do të ndalemi tek ana financiare më vonë, por le të flasim për aspektet teknike në fillim.

D. Farber: Për anën teknike, pyetja juaj ishte përse u zgjodh YPO. Ne nuk vlerësuam firmën YPO më vete. Firma YPO është pjesë e një koncorsiumi, ku bëjnë pjesë Silk Road Equity, dhe dy partnerët e tjerë, Huddleston Energy dhe Home Creek Energy. Ne e vlerësuam koncorsiumin në tërësi dhe bazuar në kualifikimet e koncorsiumit ishim në gjendje të vlerësonim përvojën, aftësitë teknike, si dhe aftësinë për të realizuar planin 5 vjeçar të biznesit. Në rastin e firmës Vetro, ajo që ishte e veçantë për të, është se oferta e tyre mbështetej edhe nga një bankë investuese ndërkombëtare BNP Paribas, me përvojë të gjatë në sektorin e energjitikës.


VOA: Cili është roli i kësaj banke? A e këshillon ajo firmën YPO?

D. Farber: Nuk e di në se ajo këshillon firmën YPO ose jo, por ajo këshillon koncorsiumin Vetro, pra këtu kemi një kombinim të dy elementëve kryesorë të koncorsiumit, SiklkRoad YPO dhe Huddleston e Home Creek nga njera anë dhe bankën investuese që është këshilltare e tyre, nga ana tjetër, që ne na u paraqit si pjesë e ofertës. Ne analizuam këtë përvojë dhe i kërkuam, jo vetëm Vetro-s, por të gjitha firmave, që paraqitën oferta, të na japin hollësi të shumta nga përvojat e së kaluarës, në shfrytëzuimin e naftës dhe gazit si dhe në tregëtimin e tyre. Të gjitha firmat e interesuara, jo vetëm Vetro, na paraqitën projekte konkrete që kanë kryer, fusha nafte që kanë shfrytëzuar. E morrëm këtë informacion nga të gjitha firmat. Pastaj bëmë punën tonë për të kontrolluar me sa mundëm informacionin. Verifikuam një pjesë të mirë të tij, dhe kjo na çoi në klasifikimin e firmave nga ana teknike. Dua të theksoj se vlerësimi teknik, nuk kishte të bënte thjesht me aftësinë për të drejtuar një biznes të caktuar, apo për planin 5 vjeçar të biznesit, por edhe për çështje të tjera, si për shembull për ato mjedisore, shëndetësore të sigurimit teknik, të punësimit e të tjera.

VOA: Edhe një pyetje e fundit për aspektet teknike. A është e saktë të thuhet se dy firmat, Huddleston Energy dhe Home Creek Energy, janë dy firmat kryesore të konsorciumit për shfrytëzimin e fushave të naftës në Shqipëri?

D. Farber: Po ato janë qendra e ekspertizës teknike. Të dyja ato kanë përvojë të gjatë dhe secila prej tyre këshillon konsorciumin Vetro...

VOA: Cili është roli i firmës Silk Road Equity?

D. Farber: Ajo është partnere me firmën YPO dhe së bashku janë pronare të koncorsiumit Vetro.

VOA: Silk Road nuk është e specializuar në energjitikë, a do të jetë roli i saj më shumë në aspektet financiare të koncorsiumit?

D. Farber: Nuk më kujtohen hollësitë e përvojës së tyre në sektorin energjitik, për momentin nuk më kujtohen, por pa dyshim ata do të ofrojnë një pjesë të mbështetjes financiare.


VOA: Ju thatë se aspektet financiare morën deri në 75 pikë. ..... një ndër kriteret kryesore ishte përzgjedhja e atij që paguante më shumë. Dhe oferta më e lartë ishte rreth 1,1 miliard dollarë ose 850 milion euro. Dhe ata duhet t’ia paguajnë këtë në cash qeverisë shqiptare në mbarim të negociatave. A i kanë ata këto para?

D. Farber: Çdo gjë që kemi parë deri tani na jep të kuptojmë se ky nuk do të jetë problem. Por çështja këtu është se si kanë ndërmend ata ta financojnë këtë marrëveshje, pra nëse i kanë paratë në dorë, apo do t’i marrin hua. Kjo varet krejtësisht prej tyre.

VOA: Nga ajo që dini ju, a i kanë ata paratë në banka dhe do t’ia transferojnë qeverisë shqiptare?

D. Farber: Nuk mund të hyj në hollësi për mundësitë financiare. Unë e kam studiuar gjendjen e tyre financiare por nuk dua të hyj aty.

VOA: Apo do t’i sigurojnë me hua? Sepse këtu ka dy zgjidhje, ose i kanë paratë, ose do t’i sigurojnë diku? Pra nga do të vijnë 850 milion eurot?

D. Farber: Si konsulent i ministrisë, nuk dua të shpreh hamendje se çfarë synimesh ka konsorciumi. Nuk e di, sepse është punë e tyre se si do të vendosin, se si do ta financojnë marrëveshjen. Pra, nëse do t’i marrin paratë borxh, do t’i gjejnë paratë në ndonjë mënyrë tjetër, apo do t’i marrin nga llogaria e tyre bankare. Kjo do të varet nga konsorciumi dhe nuk është çështje e ministrisë.

VOA: Por ju si konsulent i ministrisë duhet të jeni në gjendje të thoni se ata janë të aftë t’i gjejnë paratë, bazuar në atë që ju keni parë, apo jo?

D. Farber: Mos harroni se procesi funksionon kështu: për t’u kualifikuar për të bërë një ofertë, jo vetëm për Vetron por edhe për të tjerët, duhet të depozitosh një garanci në formë parash. Qëllimi i këtyre parave është pikërisht ky, që të mund të kemi firma serioze në tryezë, pra jo firma që thjesht thonë se janë në gjendje të paguajnë e që në fakt nuk janë. Me shpalljen e konsorciumit si fitues, që u bë javën e kaluar, kërkesa për këtë garanci dyfishohet dhe bëhet 20 përqind. Këtu flitet për shumë para...

VOA: Pra, rreth 200 milion dollarë, që duhet të depozitohen në një bankë.

D. Farber: Fjala tani është 170 milion euro, pra 20 përqind, që do të ofrohen nga një bankë si garanci e pakthyeshme, që ne mund t’i kërkojmë në çdo kohë për të mbështetur realizimin e procesit. Ne besojmë se kjo do të ndodhë shpejt, përndryshe procesi nuk do të shkojë përpara. Më lejoni të shtojë se këtu flitet për një sasi shumë të madhe parash që dikush i depoziton si garanci e pakthyeshme dhe kështu duhet të funksionojë procesi.

VOA: A është kjo e njëjta bankë ku është depozituar edhe 10 përqindëshi i parë, The American Charter Bank?

D. Farber: Ne parashikojmë që garancia prej 20 përqind do të jetë nga një bankë tjetër.

VOA: Pra, nëse negociatat nuk realizohen, konsorciumi humbet 170 milion euro. Por si mund t’i humbasë ai kur nuk i ka këto para?

D. Farber: Këtu është edhe i gjithë qëllimi që banka vendos një garanci të pakthyeshme. Pjesë e procesit është garantimi që hollësitë e ofertave të mbahen konfidenciale dhe ne e respektojmë këtë. Ajo që ne dimë është se kjo duhet të jetë një garanci e parevokueshme nga një bankë e madhe dhe këtë presim.

VOA: Sa pritet të zgjasin negociatat?

D. Farber: Ne ende nuk i kemi datat e sakta por sigurisht ne dëshirojmë që ato të fillojnë menjëherë. Varet se kur do ta njoftojë këtë konsorciumi dhe me ta njoftuar negociatat do të fillojnë.

XS
SM
MD
LG