Lidhje

Të dhëna pozitive për ekonominë amerikane


US Economy
US Economy

Konsumatorët amerikanë duket të jenë më optimistë në lidhje me ekonominë

Konsumatorët amerikanë duket të jenë bërë më optimistë për ekonominë. Departamenti i Tregtisë thotë se shpenzimet e përgjithshme të shitjes me pakicë i tejkaluan pritjet në shtator, ndërkohë që konsumatorët shpenzuan më tepër për mallrat elektronikë dhe automjetet. Një sërë të dhënash pozitive, të publikuara së fundmi, bëjnë që pritjet për sezonin e rëndësishëm të pushimeve të jenë të mira.

Një përmirësim i shifrave të vendeve të punës, të ardhura më të larta nga se pritej në Wall Street dhe shenja rimëkëmbjeje në tregun problematik të shtëpive po ndihmojnë në ngritjen e besimit të konsumatorëve.

Shumë njerëz kanë shtuar shpenzimet në muajin shtator, duke rritur shitjet me pakicë me 1,1 për qind dhe duke nisur kështu më herët sezonin e blerjeve për festat.

Ekonomisti Cary Leahey thotë se vendimtare ishin të ardhurat nga pajisjet elektronike, një sektor në të cilin dalja në treg e modelit të ri të celularit iPhone rriti shitjet me 4,5 për qind.

"Kam parë njerëz të thonë se Krishtlindjet erdhën herët, i bleva vetes një iPhone. Dhe unë mendoj se Krishtlindjet vërtet kanë ardhur herët, dhe ky është një fillim shumë i mirë."

Çmimet e larta të benzinës ishin një tjetër ndikues në rritjen e shpenzimeve të konsumatorëve - që përbëjnë gati dy të tretat e ekonomisë së SHBA-së. Amerikanët blenë gjithashtu më tepër makina, si dhe shpenzuan më shumë për ushqim dhe pije.
Kjo mund të nxisë kompanitë të përgatisin raftet e dyqaneve më shpejt, në prag të së Premtes së Zezë të muajit nëntor - një ditë që tradicionalisht shënon fillimin e sezonit të blerjeve për festat.

Dhe këtë vit, ekspertja e shitjeve Clementine Illanes thotë se kompanitë janë duke i kushtuar vëmendje më të madhe preferencave të konsumatorëve.

"Ata tani i kuptojnë gjithmonë e më mirë klientët e tyre. Po përmirësohen në marrjen e të dhënave dhe në përdorimin e statistikave, për të qenë në gjendje të krijojnë një marrëdhënie të personalizuar me klientët, bazuar mbi atë që konsumatorët kërkojnë."

Por, ndërkohë që të dhënat ekonomike janë inkurajuese, investitori nga Hong Kongu, Jackson Wong, thotë se është shumë herët për të bërë supozime.

"Të dhënat e një muaji nuk janë tregues shumë të fuqishëm. Megjithatë, kur shohim që të dhënat tregojnë se eksportet e Kinës janë rritur, ashtu si dhe shitjet me pakicë të Shteteve të Bashkuara, kjo do të thotë që aktivitetet ekonomike po përmirësohen."

Rritja e shpenzimeve për blerjet me pakicë ka bërë që disa ekonomistë të rishikojnë vlerën e rritjes së pritshme nga 1,6 në 2 për qind, për tremujorin e tretë. Disa thonë se vetëm shitjet e iPhone-it 5 mund të shtojnë mbi 0,3 për qind të prodhimit të brendshëm bruto të SHBA-së, nga korriku deri në shtator.

XS
SM
MD
LG