Lidhje

Liria e medias në Turqi


Protesta në Stamboll kundër arrestimit të një gazetari
Protesta në Stamboll kundër arrestimit të një gazetari
Për shumë njerëz në Perëndim, Turqia është një dritë e demokracisë në Lindjen e Mesme. Por një raport i ri nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë se Turqia është vendi kryesor që burgos gazetarët në mbarë botën, me 76 gazetarë të burgosur aktualisht, mijëra çështje penale të ngritura kundër tyre dhe të tjera që qarkullojnë në gjykata. Gazetarë turq që mbulojnë tema të debatueshme thonë se përballen me presionin e vazhdueshëm të ndjekjes penale.

Protestat kundër ndjekjes së gazetarëve kanë qenë të pranishme për vite me radhë në Turqi, por ato u intensifikuan vitin e kaluar.

Gati 100 gazetarë kanë qenë në burg apo jashtë tij në atë kohë, duke pritur të akuzoheshin për krime të rënda.

Rebelimi kurd në Turqinë jugore është një temë që qeveria turke nuk dëshiron të mbulohet. Shumë prej gazetarëve në burg janë atje, sepse kanë mbuluar kryengritjen.
Por në mars 2011, dy gazetarë të shquar, Ahmet Sik dhe Nedim Sener, u arrestuan për një tjetër krim të supozuar të përbashkët: komplot kundër qeverisë. Sik kishte shkruar një libër në lidhje me korrupsionin e policisë. Ndërsa Sener kishte shkruar për vrasjen e Hrant Dink, një gazetar i shquar.

Nina Ognianova është një analiste me Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve në Nju Jork.

"Sipas grupeve lokale, në fund të vitit të kaluar, kishte ndërmjet 3,000 dhe 5,000 raste të pazgjidhura - çështje penale - kundër gazetarëve për një shumëllojshmëri akuzash që shtrihen nga fyerjet për Turqinë e deri tek përpjekjet për të ndikuar në rezultatin e një gjykimi".

Pas 13 muajsh në paraburgim, Sener dhe Sik u liruan – por ende përballen me daljen para gjyqit. Sik zotohet të vazhdojë luftën për fjalën e lirë. Ai foli për Zërin e Amerikës në Stamboll. Ai beson se presioni ndërkombëtar çoi në lirimin e tij.

"Unë u lirova me urdhër të veçantë të kryeministrit Erdogan, si unë edhe Nedimi".

Qeveria turke nuk i është përgjigjur kërkesave për koment, si për lirimin e zotit Sik apo për çështjen e lirisë së medias.

Por Bashkimi Evropian thotë se ka shqetësime në rritje rreth lirisë së shtypit të cilat venë në rrezik anëtarësimin e Turqisë në BE.Shtetet e Bashkuara kanë shprehur gjithashtu shqetësim. Francis Ricciardone është ambasadori amerikan në Turqi.

"Ka një efekt trishtues. Ekziston një ndjenjë se mund të humbasësh punën nëse shkruan apo thua dicka në televizion, mund të kërcënohesh ose të shkosh në burg, apo të merresh në pyete nga autoritetet".

Megjithë presionin nga aleatët, situata për gazetarët turq nuk duket se po përmirësohet. Dhe protestat vazhdojnë.
XS
SM
MD
LG