Lidhje

Shqipëria u anëtarësua në rrjetin europian të sipërmarrjeve


Shqipëria sapo është anëtarësuar në rrjetin europian të sipërmarrjeve. Në takimin e organizuar nga ky rrjet u theksua se qëllimi i këtij bashkëpunimi është të ndihmohen bizneset e vogla dhe të mesme shqiptare në rritjen dhe përshtatjen e tyre me rregullat e BE-së.



Drejtuesi i zyrës së delegacionit të Komisionit Europian në Shqipëri, ambasadori Etore Sequi, tha se 95 për qind e bizneseve shqiptare janë të vogla e të mesme, ndaj kjo është fusha që duhet mbështetur më shumë. Ai theksoi se BE i ka hapur dyert kompanive shqiptare që të shkojnë në tregjet europiane, por ato duhet të rritin cilësinë për të përballuar konkurrencën.

Ambasadori Sequi tha se bisneset e vogla dhe të mesme janë burimi kryesor i punësimit të shqiptarëve dhe rritjes ekonmike të vendit. Ai i bëri këto komente në një takim të bizneseve shqiptare me përfaqësues të rrjetit europian të sipërmarrjeve, ku Shqipëria sapo u anëtarësua.

“Bizneset e vogla dhe të mesme përfaqësojnë 95 për qind të bizneseve të regjistruara në Shqipëri. Zhvillimet teknologjike kanë ndryshuar tregtinë botërore dhe mënyrës se si po punojnë bizneset, duke kapërcyer kufijtë më shumë se në çdo kohë tjetër” - tha ai.

Sipas tij, marrëveshja e stabilizim-associmit mes BE-së dhe Shqipërisë u dha kompanive shqiptare mundësi të jashtëzakonshme që të përhapen në tregjet europiane me gati gjysmë miliardi konsumatorë. Kjo mundësi e madhe kërkon që bizneset e vogla dhe të mesme shqiptare që të rritin cilësinë dhe fuqinë e tyre konkurruese në BE dhe Ballkanin perëndimor - tha ai.

BE mbetet e angazhuar të japë mbështetje për Shqipërinë që të plotësojë të gjithë detyrimet e marrëveshjes së stabilizim-asociimit. Në studimin e fundit për marrëdhëniet me Shqipërinë theksohet se BE ka investuar 2,2 milionë euro në mbështetje të bizneseve të vogla dhe të mesme shqiptare për t’u bërë më konkurrente në raport me tregjet europiane, ndërkohë që mbetet shumë punë për të bërë në fushat e të drejtës së autorit, pronësisë intelektuale, në sistemin e taksave dhe doganave.
XS
SM
MD
LG