Lidhje

Shqipëria ka disa ditë kohë të përmbushë kërkesat e KE


Shqipëria ka vetëm disa ditë kohë për të përmbushur kërkesat e Komisionit europian në mënyrë që t’i hapë rrugë propozimit për dhënien e statusit të vendit kandidat.



Por palët politike gjenden ende larg një kompromisi për miratimin e ligjit për nëpunësin civil, gjykatën e Lartë dhe rregulloren e parlamentit. Cështja e zhbllokimit të situatës për qarkun e Fierit është ende një pengesë serioze e po ashtu edhe një pikë në rregulloren e parlamentit që lidhet me hapësirën e opozitës për të patur mundësinë e përgjigjes ndaj cdo ndërhyrjeje të kryeministrit. Të dyja palët akuzojnë njëra tjetrën si përgjegjëse të bllokimit të situatës.

Seanca e ardhshme parlamentare e së enjtes mund të konsiderohet si mundësia e fundit që Shqipëria të përmbushë kërkesat e Brukselit për dhënien e statusit. Komisioni europian ka bërë një rekomandim pozitiv në tetor por duke e kushtëzuar me miratimin e ligjit për Gjykatën e Lartë, atë të Nëpunësit civil dhe Rregulloren e parlamentit, dhe përpara mbledhjes së Këshillit të ministrave të vendeve anëtare, Komisioni duhet që javën e ardhshme të informojë nëse këto kushte janë plotësuar.

Por situata politike në vend nuk duket aspak premtuese. Të dyja palët nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre. Ligji për Gjykatën e lartë ka mbetur i bllokuar nga problemi i qarkut të Fierit, për të cilin opozita thotë se janë një seri vendimesh gjykate që i japin të drejtë asaj.

Kryeministri Sali Berisha përsëriti variantin e mbajtjes së mocionit të mosbesimit ndaj përfaqësuesve të shumicës në qarkun e Fierit, një praktikë të cilën vetë socialistët tha ai e kanë aplikuar në disa komuna e bashki të këtij qarku. "A mund të ketë praktike më ligjore, më të drejtë, por edhe me dinjitoze se ajo që unë i ofroj zotit Rama? Unë i ofroj zotit Rama, atë praktikë, për të cilën ai ka mbledhur firmat, për ta praktikuar në Dermenas, në Bashkinë e Divjakës, e ka praktikuar në Komunën Bubullimë dhe ka dashur ta praktikojë në Komunën Fier-Shegan", tha zoti Berisha.

Por socialistët kanë refuzuar këtë propozim i cili sipas tyre është anti ligjor pasi për këtë cështje këmbëngulin ata janë shprehur gjykatat. Një tjetër ngërc është edhe reforma parlamentare e mbetur pezull vetëm në përcaktimin e ndërhyrjeve në parlament të kreut të opozitës ndaj deklarimeve të kryeministrit. Zoti Berisha ka thënë se ka rënë dakort që replika e opozitës të jetë 10 minuta e jo dy sa c’është tani. Por socialistët këmbëngulin se cështja shtrohet te trajtimi i barabartë dhe jo te koha e se sipas tyre e drejta e replikës duhet të jetë ndaj cdo ndërhyrjeje të kryeministrit. Por sipas zotit Berisha kjo do të barazonte kreun e opozitës me atë të qeverisë dhe kjo nuk mund të ndodhë.

Kryeministri I bëri thirrje opozitës të mos bllokojë procesin e integrimit. "Edhe njëherë i bej thirrje, pasi ditën e enjte është afati i fundit. Ligjet janë gati. Le të ulen sëbashku, përfaqësuesit e grupeve të komisioneve dhe në prag të këtij përvjetori të madh, por edhe në prag të një vendimi që pritet, në datën 20, nga Komisioni Europian, të përmbushim detyrimin tonë ndaj vendit".

Por socialistët fajësojnë direkt kryeministrin për bllokimin e mundshëm të dhënies së statusit pasi sipas tyre me ngërcin e qarkut të Fierit ai po dëshmon mosrespektin e shtetit të së drejtës, një nga objektivat kryesore të Brukselit.

Me miratimin e dy ligjeve dhe reformës parlamentare Shqipëria do të plotësonte të paktën detyrimet e saj direkte, duke i hapur rrugë propozimit të pakushtëzuar të Komisionit dhe gjithshka do të ishte më pas në dorën e vendeve anëtare ku megjithate nuk mungon skepticizmi ndaj plotësimit të angazhimeve nga ana e Shqipërisë.
XS
SM
MD
LG