Lidhje

Ministri i Jashtëm i Kosovës viziton Tiranën


Shqipëria dhe Kosova pritet të nënshkruajnë një marrëveshje të bashkëpunimit strategjik mes tyre që do të përfshijë të gjitha fushat nga ekonomia te kultura apo arsimi.

Përgatitja e një marrëveshjeje të tilla u njoftua nga ministri i jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj i cili zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Tiranë. Ai tha se për këtë ishte hartuar një projekt nga ministria e jashtme shqiptare dhe se sot kishte biseduar me ministrin shqiptar Edmond Panariti për firmosjen e saj brenda një kohe sa më të shkurtër.

Thellimi i bashkëpunimit dy palësh ishte në qendër të bisedimeve të sotme në Tiranë të ministrit Hoxhaj. Ai tha Shqipëria mund të ndihmojë Kosovën në shumë aspekte e sidomos në procesin e integrimit europian të Prishtinës duke qenë se Tirana është shumë më e avancuar në këtë drejtim ashtu si dhe me kriteret teknike për liberalizimin e vizave që Prishtina synon të arrijë me vendet Schengen.

Nga ana e tij ministri Panariti tha se garantonte për mbështetjen e Tiranës edhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe ato rajonale. Zoti Panariti u shpreh se qeveria shqiptare mbështet plotësisht edhe qasjen e Prishtinës në dialogun e saj me Serbinë.
XS
SM
MD
LG