Lidhje

Qeveria dhe opozita këmbejnë ftesa pa dialog


Zoti Panariti tha se vendimi i këshillit të ministrave të BE-së për Shqipërinë do të bazohet në mbylljen me sukses të këtyre tre reformave.

Ministri i jashtëm, Edmond Panariti, i bëri sot thirrje klasës politike që të miratojnë reformat në drejtësi, administratë dhe jetën parlamentare, sepse, sipas tij, ato janë hapi i radhës i integrimit të Shqipërisë drejt BE-së. Zoti Panariti tha se vendimi i këshillit të ministrave të BE-së në dhjetor për Shqipërinë do të bazohet në mbylljen me sukses të këtyre tre reformave dhe ecurisë pozitive në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai i dha këto komente në forumin e organizuar nga Lëvizja Europiane e Shqipërisë me temë “Përtej statusit kandidat - qasja drejt anëtarësimit”.

Ministri Panariti tha se miratimi i këtyre 3 projekt-ligjeve nuk mund të ketë asnjë pengesë, nëse forcat politike vlerësojnë si parësor interesin kombëtar dhe dobinë që presin qytetarët nga integrimi në BE. Në forum mori pjesë edhe opozita. Deputeti socialist Ditmir Bushati, kryetar i komisionit parlamentar për integrimin europian
thotë se ky nuk është një debat për Europën, por është një diskutim për cilësinë e demokracisë shqiptare.

Ndërkaq kryetari i PS, Edi Rama, shpërndau sërish një deklaratë ku ftoi sërish partitë e koalicionit qeveritar në një tryezë debati për zgjidhjen e problemit të Qarkut të Fierit. Në deklaratë ai thotë se ky problem do zgjidhur në mënyrë demokratike, krhas votimit të menjëhershëm të tre akteve të përcaktuara nga Komisioni Europian si të nevojshme.

Partia Demokratike refuzoi një ftesë të ngjashme disa ditë më parë me argumentin se Qarku i Fierit ishte një çështje e gjykatave dhe partitë politike nuk mund të diskutojnë nëpër tryeza vendimet e gjykatave. Ajo tha se këshilltarët socialistë në Fier po zvarritin gjyqet për të humbur kohën e vlefshme, duke krijuar një alibi për bllokimin që opozita po i bën procesit të integrimit në BE.

Në 10 tetor Komisioni Europian dha një rekomandim pozitiv për dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë, me plotësimit të tre kushteve të përcaktuara për forcimin e demokracië dhe shtetit ligjor. Ky vlerësim pozitiv dhe ecuria dymujore do të analizohet përsëri nga BE në dhjetor, nga do të dalin opsionet e mundshme për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për antarësim në BE.
XS
SM
MD
LG