Lidhje

Kosova bëhet anëtare e BERZH-it


Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka vendosur të pranojë Kosovën si anëtare të 66-të të saj nga 17 dhjetori i këtij viti.

Kosova nga 17 dhjetori do të jetë anëtare e Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim. Në një komunikatë për opinion të kësaj banke thuhet se Bordi i Guvernatorëve ka miratuar një Rezolutë për këtë çështje duke pasur parasysh se një pjesë e anëtarëve të saj nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Në komunikatë thuhet se “Kosova do të bëhet anëtare e 66-të e Bankës, në qoftë se më ose para 17 dhjetorit të vitit 2012, përmbushë procedurat e brendshme për anëtarësim, siç përcaktohet në rezolutë, duke përfshirë pranimin Marrëveshjes së Themelimit të Bankës dhe pagesës për aksionet e saj”.

Pasi që Kosova të bëhet anëtare, thuhet më tej, “Banka do të kërkojë që ta mbështesë ekonominë e Kosovës dhe të përmirësojë jetën e njerëzve atje, të lehtësojë tranzicionin dhe të kontribuojë në qëndrueshmërinë rajonale”.

Komunikata citon presidentin e BERZH-it, Suma Chakrabarti, të ketë thënë se “Banka do të punojë për zhvillimin e sektorit privat, si dhe investime në përmirësimin e infrastrukturës dhe do të ndihmojë në forcimin e ekonomisë, në përgjithësi. Nga kjo do të përfitojnë të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”.

Vendimi nxitit reagimin e udhëheqësve të Kosovës të cilët thanë se ky është një lajm shumë i mirë për Kosovën.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nëpërmjet një komunikate vlerëson se “anëtarësimi i Kosovës në BERZH është një hap i shumëpritur dhe i rëndësishëm, dhe krahas anëtarësimit të vendit në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, paraqet ndër momentet më të rëndësishme në konsolidimin e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe për reformën e brendshme drejt zhvillimit dhe forcimit të ekonomisë së tregut të lirë. Ky anëtarësim do të ndihmojë në zhvillimin ekonomik, zbatimin e reformave e standardeve evropiane dhe zhvillimin e infrastrukturës përmes mbështetjes së zhvillimit të sektorit privat, mobilizimit të kapitalit të jashtëm dhe përmirësimit të ambientit për investime”, thuhet në reagimin e presidentes Jahjaga.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi thekson se “anëtarësimi në BERZH është një fitore e madhe e identitetit shtetëror të Kosovës dhe çimentimit të Kosovës si pjesë e pashmangshme e relacioneve dhe organizatave ndërkombëtare”.
XS
SM
MD
LG