Lidhje

Lufta kundër epilepsisë në vendet në zhvillim


Vendet në zhvillim po shohin shtimin e sëmundjeve të tilla jo-ngjitëse si diabeti, kanceri dhe sëmundjet kardiovaskulare. Por studiuesit thonë se këto vende kanë një numër disproporcional të rasteve të epilepsisë në krahasim me kombet më të pasura. Joe De Capua i Zërit të Amerikës ka përgatitur materialin.

Hulumtuesit thonë se pavarësisht se epilepsia është një nga çrregullimet me kostot më efektive për të trajtuar , në vendet në zhvillim ajo është një barrë e rëndë. Ata thonë se në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme jetojnë dy herë më shumë njerëz me epilepsy. Zbulimet u paraqitën në revistën mjekësore The Lancet. Profesori i Psiqiatrisë në universitetin e Oksfordit Charles Newton është drejtuesi i studimit. Ai e kaloi pjesën më të madhe të kohës në Kenia dhe Tanzani me programet Wellcome Trust.

“Epilepsi është një gjendje në të cilën ka një shkarkesë elektrike të tepruar nervore brenda trurit duke bërë që personi i prekur të bëjë lëvizje anormale, të mos jetë i ndërgjegjshëm ose madje në disa të mos ketë ndjenja”.

Epilepsia është një term i përgjithshëm për një sëmundje që mund të ketë shumë shkaqe dhe mund të ndodh në çdo moshë.

“Ajo mund të trashëgohet. Mund të ketë shkaqe të tjera gjenetike. Mund të shkaktohet nga infeksionet, traumat e lindjes, lëndime në kokë dhe madje edhe gjëra të tilla si goditje dhe tumore të trurit”.

Newton thotë se në Afrikë traumat e lindjes shpesh rezultojnë nga kujdesi i dobët obstetrik. Dhe infeksionet e trurit mund të rezultojnë ndër të tjera, nga sëmundje të tilla si meningjiti bakterial dhe malaria. Sëmundja gjithashtu merr shumë forma.

“Njerëzit e prekur mund të shohin pa lidhje në zbrazëtirë shpesh gjatë ditës. Të tjerë kanë një lloj ndjenje të çuditshme, si halushinacione ose mund të bien pa ndjenja në tokë, të ngurtësohen dhe pastaj të fillojnë të dridhen”.

Njerëzit me epilepsi gjithashtu mund të kenë një normë më të lartë të vdekshmërisë. Për shembull, një person epileptik mund të bëhet i pandërgjegjshëm dhe të jetë më në rrezik ndaj zjarreve apo aksidenteve në punë.

Epilepsi është një problem shëndetësor i moshave të thyera. Mjeku grek Hipokrati shkroi librin e parë në lidhje me këtë sëmundje në vitin 400 para erës së re. Ai u përpoq të shuante mitet, duke e përshkruar atë si një çrregullim të trurit. Megjithë përpjekjet e hershme, të prekurit nga epilepsia përballen me stigmë dhe diskriminim. Newtown thotë se pikërisht stigma dhe diskriminimi u japin njerëzve me epilepsi më pak shanse për të marrë një arsim, një punë apo edhe për tu martuar. Familjet e tyre janë gjithashtu të përjashtuara nga shoqëria. Ai thotë se nuk duhet të jetë kështu.

“Epilepsia është e kontrollueshme me ilaçe relativisht të lira. Pra për pesë deri në dhjetë dollarë amerikanë në vit mund të kontrollohen dridhjet apo të zvogëlohen në rreth 70 për qind të njerëzve me epilepsy”.

Ilaçi më i zakonshëm i përdorur për të trajtuar epilepsinë në Afrikë është fenobarbitali. Ai ka efekte anësore, si skuqja e lëkurës tek fëmijët dhe marrje mendsh tek të rriturit. Newton thotë se vitet e fundit po prodhohen ilaçe të reja.

“Problemi është se ato janë shumë të shtrenjta dhe nuk janë të përballueshme për njerëzit që jetojnë në zonat e varfra. Përpjekja jonë në zonat e varfra është që njerëzit të mund të marrin ilaçe që janë relativisht të lira, dhe që ne i dimë se çfarë efektesh anësore kanë”.

Newtib thotë se nëse përmirësohet kujdesi obstetrik, nëse infeksionet e trurit mund të shmangen nëpërmjet kushteve më të mira sanitare dhe përpjekjeve të tjera, nëse përdoret mbrojtje më e mirë për të shmangur traumat në kokë, mund të parandalohen deri në 50 për qind e rasteve të epilepsisë në disa pjesë të Afrikës. Ai i bën thirrje Kombeve të Bashkuara të përfshijnë epilepsinë në listën e sëmundjeve jo të transmetueshme që kërkojnë më shumë vëmendje.
XS
SM
MD
LG