Lidhje

Los Angelos: Ndahen çmimet muzikore amerikane


Është zhvilluar mbrëmë në Los Angelos ceremonia e ndarjes së çmimeve muzikore të quajtura “Çmimet muzikore amerikane”. Këngëtari 18 vjeçar Justin Bieber ishte fitues i mbrëmjes së djeshme, pasi ai u vlerësua me një sërë çmimesh.

Kandidaturat për çmimet muzikore amerikane që zhvillohen një herë në vit, përzgjidhen bazuar në shitjet e disqeve dhe këngëve të artistëve, si dhe në numrin e shfaqjeve, turneve, videoklipeve apo pjesëmarrjeve nëpër aktivitete të ndryshme shoqërore që ata kanë gjatë një viti. Fituesi zgjidhet nga adhuruesit e tyre përmes votimit në internet.

Justin Bieber fitoi çmimin “Artisti i vitit” mbrëmjen e djeshme në ceremoninë e “Çmimeve muzikore amerikane”. Ai fitoi në këtë kategori duke lënë pas Rihanën, grupin britanik Maroon 5, Drake, dhe këngëtaren Katy Perry. Gjatë momentit të marrjes së çmimit, ai falenderoi nënën e tij për besimin që ajo ka patur gjithmonë ndaj tij.

Bieber fitoi gjithashtu edhe çmimin për albumin më të mirë të muzikës pop/rock “Belive”, dhe fitoi çmimin si artisti më i mirë i muzikës pop/rock.

Edhe Niki Minaj fitoi disa çmime mbrëmjen e djeshme. Ajo fitoi çmimin si artistja më e mirë e muzikës rap/hip-hop si dhe për albumin e saj “Pink Roman” i cili u cilësua si albumi më i mirë.

Ajo ndërroi tre kostume gjatë ceremonisë së mbrëmshme, në të treja daljet e saj përpara publikut.

Taylor Swift fitoi çmimin si artistja më e mirë e muzikës kantri.

“Është e pabesueshme! Dëshiroj t’iu falenderoj të gjithëve! Ju jeni ata që votuat për mua” – tha ajo në momentin e marrjes së çmimit. Taylor Swift interpretoi në skenë këngën e saj “I knew you were trouble”.

Usher fitoi çmimin e artistit më të mirë të muzikës soul/R&B, ndërsa kanadezja Carly Rae Japsen fitoi çmimin si artistja më e mirë e re.

Kandidaturat për çmimet muzikore amerikane që zhvillohen një herë në vit, përzgjidhen bazuar në shitjet e disqeve dhe këngëve të artistëve si dhe numrin e shfaqejve, turneve, videoklipeve apo pjesmarrjeve nëpër aktivitete të ndryshme sociale gjatë një viti. Fituesi zgjidhet nga adhuruesit e tyre përmes votimit në internet.
XS
SM
MD
LG