Lidhje

Ndërgjegjësimi për lindjet e parakohëshme


Një studim i ri arrin në përfundimin se shumë nga këto lindje të parakohëshme mund të shmangen

Çdo vit, në vende të varfra dhe të pasura, mbi një milionë foshnja vdesin sepse kanë lindur para kohe. Shumë prej atyre që mbijetojnë, vuajnë nga probleme shëndetësore për gjithë jetën. Vitet e fundit, organizatat e përqendruara tek shëndeti i fëmijëve janë përpjekur të rrisin ndërgjegjësimin për rreziqet e lindjes së parakohëshme dhe se çfarë mund të bëhet për t’i parandaluar ato. Kjo ishte edhe arsyeja e Ditës për Lindjet e Parakohëshme, më 17 nëntor. Kjo ditë shërben gjithashtu edhe për të ndërgjegjësuar nënat se si të kujdesen për këto foshnje.

15 milionë foshnja e fillojnë jetën me një dizavantazh të madh: ata lindin shumë herët.

Lindja e parakohëshme është shkaku më i shpeshtë i vdekjes së të sapolindurve në botë, megjithatë shumë prej tyre mund të shpëtojnë, sipas doktoreshës Joy Lawn e organizatës “Save the Children”.


“Shumë nga këto foshnje nuk kanë nevojë për kujdes intensiv. Ata mund të shpëtojnë nga kujdesi i nënës, nëse nëna e mban të lidhur pranë trupit të vet, i jep për të pirë, duke e bërë që t’i shtohet pesha, e ndihmon me ngrohtësi dhe duke shmangur infektimet”.

Një koalicion organizatash ndërkombëtare shënon ditën e Lindjeve të Parakohëshme më 17 nëntor. Eshtë pjesë e një përpjekjeje globale për të pakësuar numrin e lindjeve të parakohëshme në gjithë botën dhe për të shpëtuar një ndër dhjetë foshnjet që lindin para kohe.
Christopher Howsen është një epidemiologjist me organizatën “March of Dimes”.

“Ka shumë mënyra për parandalimin e lindjes së parakohëshme dhe çelësi është në vendet e pasura”.

Zoti Howsen është një nga autorët e një studimi të kohëve të fundit për lindjen e parakohëshme të botuar në revistën mjekësore britanike, The Lancet. Studimi rekomandon pesë mënyra për të ulur ritmin e lindjeve të parakohëshme. Ato përfshijnë ndërprerjen e lindjes me operacion kur nuk është e nevojshme dhe nxitjen artificialisht të dhimbjeve të lindjes para se foshnja të jetë 39 javëshe. Të dyja praktikat janë bërë të zakonshme në vendet e pasura.
Sipas studimeve të fundit, që foshnjet të kenë zhvillim normal, ato duhet të jenë në trupin e nënës për të paktën 39 javë. Jennifer Howse është presidente e Fondacionit March of Dimes.


“Zhvillimi i plotë i trurit, i mushkërive nuk përfundon të paktën deri në javën e 39”.

Mënyra të tjera për të pakësuar numrin e lindjeve të parakohëshme përfshijnë kufizimin e numrit të embrioneve që vendosen në mitër në rastet e shtatzanive me epruvetë, lënia e duhanit dhe kufizimi i rritjes së peshës gjatë shtatzanisë, si edhe kudjesi për shëndetin e nënës para dhe gjatë shtatzanisë. Zoti Howsen thotë se këto të dhëna janë nga vendet e zhvilluara por mund të zbatohen kudo.

“Këto praktika po bëhen probleme si në vende në zhvillim ashtu edhe në ato të pazhvilluara”.

Ata njerëz që shënuan ditën e Lindjeve të Parakohëshme mund të shkonin në një faqe në Facebook për të ndarë historitë e tyre për foshnjet e lindura para kohe. Është një mënyrë e thjeshtë dhe efektive për t’i dhënë një fytyrë njerëzore kësaj çështjeje.


XS
SM
MD
LG