Lidhje

Thaçi: UNMIK-u nuk mund të pengojë rindërtimet në veri


UNMIK-u ka kërkuar nga qytetarët shqiptarë leje ndërtimi në zonë, ndërtime që po kundërshtohen nga banorët serbë në Mitrovicë.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha sot se përfaqësuesit e Misionit të Kombeve të Bashkuara, nuk mund të pengojnë kthimin e qytetarëve në pronat e tyre në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Komentet e tij pasuan tensionet në një lagje me popullsi të përzier në veriun e Mitrovicës, ku po bëhet rindërtimi i shtëpive të shqiptarëve që ishin shkatërruar gjatë luftës në Kosovë.

Zyrtarë të UNMIK-ut kanë kërkuar nga qytetarët që të kërkojnë leje ndërtimi në zonë, ndërtime që po kundërshtohen nga banorët serb. Dje dhe sot ka pasur disa incidente pa pasoja në njerëz ndërmjet banorëve të të dyja komuniteteve.



Kryeministri Thaçi tha se te gjithë qytetarët e Kosovës pavarësisht përkatësisë së tyre etnike kanë të drejtë të kthehen në pronat e tyre.

Qeveria e Kosovës mbështet fuqishëm ndërtimin e shtëpive në pronat e tyre për qytetarët në veri, pa dallime etnike. Qeveria e Kosovës do të jetë pranë qytetarëve aty që të mos ketë asnjë pengesë prej kujtdo qoftë. UNMIK-u nuk ka të drejtë as morale, as legale, as legjitime të pengojë apo të pretendojë të pengojë ndërtimin e shtëpive dhe rikthimin e qytetarëve në shtëpitë dhe pronat e tyre”.

Ai tha se çështjen do ta debatojë edhe me Misionin e Kombeve të Bashkuara, zyrtarët e të cilit nuk kanë komentuar, meqë shefi i tyre ndodhet aktualisht për një vizitë në Beograd.

Unë do të diskutoj edhe me përfaqësuesin e UNMIK-ut kur të kthehet nga Beogradi. Mendoj se qëndrimi i tij i tij në Beograd dhe pretendimi për të ndaluar ndërtimin e shtëpive është komplet i papranueshëm, i pajustifikueshëm dhe do të marrë përgjigjen e duhur edhe nga ana e qeverisë së Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Thaci.

Përfaqësuesit e serbëve në veriun e Mitrovicës kundërshtojnë rindërtimin e shtëpive të qytetarëve shqiptarë ndërsa akuzojnë institucionet e Prishtinës se, siç thuhet, po provojnë të ndryshojnë përbërjen etnike të popullsisë në zonë.

Veriu vazhdon të jetë jashtë kontrollit të institucioneve të Kosovës ndërsa zgjidhja e kësaj çështjeje pritet të jetë tema më e vështirë e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, bisedime që pritet të vazhdojnë në fillim të dhjetorit.
XS
SM
MD
LG