Lidhje

Si mund të jetë mandati i dytë i presidentit Obama


Historia tregon se presidentët përballen me më shumë sfida në mandatin e tyre të dytë

Presidenti Barak Obama po përgatitet për mandatin e tij të dytë pas fitores në zgjedhjet e 6 nëntorit. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës për çështjet kombëtare, mandatet e dyta nuk kanë qënë gjithnjë të kënaqshme për presidentët amerikanë.

Mes thirrjeve “edhe katër vjet”, Presidenti Obama i përshëndeti kështu simpatizantët natën e zgjedhjeve.

“Nëse meritova votën tuaj apo jo, unë ju dëgjova, kam mësuar prej jush dhe ju më keni bërë një president më të mirë. Kthehem në Shtëpinë e Bardhë më i vendosur dhe më i frymëzuar se kurrë më parë rreth punës që duhet bërë dhe të ardhmes që na pret”.

Republikanët po i përshtaten tashmë realitetit të një mandatit të dytë të presidentit Obama, mes tyre edhe Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner.

“Zoti President, ky është momenti juaj. Ne jemi gati të udhëhiqemi jo si demokratë ose si republikanë, por si amerikanë”.

Por nëse historia do të shërbente si udhëzues, zoti Obama mund të përballet me një mandat të dytë me më shumë sfida se sa i pari, thotë shefi i personelit të Shtëpisë së Bardhë në administratën Reagan, Ken Duberstein.

“Historia e presidentëve në mandatin e dytë që prej luftës së dytë botërore ka treguar se në mënyrë të pashmangshme, vemendja e këtyre presidentëve shpërqëndrohet nga çështjet e rëndësishme në vitin e pestë ose të gjashtë në një farë mënyre apo një tjetër për shkak të një skandali, të një vështirësie, të një gabimi, që me kalimin e kohës përshkallëzohet”.

Richard Nixon fitoi ndjeshëm mandatin e dytë në vitin 1972, por u detyrua të jepte dorëheqjen për shkak të skandalit Watergate, pas më pak se 2 vjetësh.
Emri i Ronald Reaganit u dëmtua për shkak të skandalit Iran-Kontra, dhe për Bill Klintonin Kongresi filloi procedurat e shkarkimit për shkak të marrëdhënieve të tij me Monica Lewinsky-in.
George W. Bush u kritikua ashpër për mënyrën se si i trajtoi pasojat e Uraganit Katrina.

Presidenti Obama thotë se është mëse i vetëdijshëm rreth asaj që disa historianë e quajnë ‘mallkim i mandatit të dytë’.

“Nuk supozoj se meqë fitova zgjedhjet çdo njeri papritur është dakord me mua për çdo gjë. E njoh më së miri historinë e mandatit të dytë të presidentëve, që janë përpjekur të bëjnë shumë dhe ne do të jemi të kujdesshëm në këtë drejtim”.

Një qëndrim ky i mënçur, thotë historiani i Universitetit të Kalifornisë, Matthew Dallek.

“Ai është shumë i ndërgjegjshëm rreth këtij aspekti dhe ai po jep shenja se dëshiron të jetë pragmatik dhe nuk po kërkon të arrijë çdo gjë, madje gjëra të paarritshme. Zoti Obama ka lënë të kuptohet se ai do të punojë në fusha, ku ai mendon se mund të arrihet rezultat”.

Është gjithashtu e rëndësishme për presidentin që të kriojojë marrëdhënie të mira, thotë ish këshilltari i presidentit Reagan, Ken Duberstein.

“Gjatë incidentit Iran-Kontra, njerzit donin ta besonin Presidentin Reagan. Ai kishte krijuar përshtypje të shumta të vullnetit të mirë. Deri tani, Presidenti Obama nuk ka krijuar marrëdhënie të tilla të forta. Kjo është diçka që atij i duhet medoemos të bëjë diçka që në muajt e parë të mandatit të dytë”.

Dhe për momentin, presidenti i sapo zgjedhur e hedh vështrimin nga e ardhmja, ndërsa ka parasysh gabimet e paraardhësve të tij.

XS
SM
MD
LG