Lidhje

Palestinezët e izraelitët përjetojnë ditë qetësie


Banorët e Gazës dolën nëpër rrugë për të festuar armëpushimin që i dha fund 8 ditëve dhunë mes Izraelit dhe militantëve në këtë territor palestinez

Palestinezët dhe izraelitët përjetuan sot një ditë qetësie relative, pas arritjes dje të një armëpushimi, i cili vjen pas më shumë se një javë dhune. Nëse Izraeli dhe militantët e Hamasit, të cilët kontrollojnë Rripin e Gazës, do të mund të ruajnë paqen deri në orën 21 të ditës së sotme, atëherë zonat kufitare me Gazën do të hapen, për të lejuar lëvizjen e njerëzve dhe të mallrave brenda dhe jashtë këtij territori.

Banorët e Gazës dolën nëpër rrugë për të festuar armëpushimin që i dha fund tetë ditëve dhunë mes Izraelit dhe militantëve në këtë territor palestinez.

Ihab Hussein, zëdhënës i Hamasit, organizata që kontrollon Gazën, e quajti marrëveshjen fitore për palestinezët.

"Si për të gjithë njerëzit e mi këtu, kjo është një fitore e madhe. Këta njerëz e arritën fitoren me durimin e tyre, me gjakun e popullit tonë. 162 nga njerëzit tanë u vranë për këtë fitore. Në fakt, të gjitha kushtet që kërkonin palestinezët u realizuan. Izraeli do të hapë kufijtë, do të ndalë vrasjen e popullit tonë. Ne do të jetojmë në qetësi dhe në një situatë paqeje ".

Kreu i Hamasit, Khaled Mashal, tha se luftëtarët e tij do të respektojnë armëpushimin, por ai shtoi se nëse Izraeli nuk e respekton atë, ata do të kundërpërgjigjen.

"Ne do të respektojmë marrëveshjen e sotme, por nëse Izraeli nuk e respekton, ne jemi gati".

Ministri izraelit i Mbrojtjes Ehud Barak e quajti armëpushimin një fitore për Izraelin.

"Objektivat janë arritur plotësisht. Hamasi dhe Xhihadi Islamik mori një goditje të dhimbshme. U vranë ish udhëheqësi Ahmed Jabari dhe dhjetra terroristë, komandantë të lartë dhe operativë."

Zoti Barak tha gjithashtu se Hamasi është përgjegjës për zbatimin e armëpushimit. Ai tha se nga përvoja e kaluar pret të ketë shkelje të vogla.

Ministri i Jashtëm egjiptian Mohamed Kamel Amr e bëri njoftimin për armëpushimin në Kajro në prani të Sekretares amerikane të Shtetit Hillari Klinton.

XS
SM
MD
LG