Lidhje

Drejtuesit e BE-së në Bruksel


Ata hapin një takim dy-ditor të nivelit të lartë për buxhetin që ka ndarë bllokun me 27 vende, i cili përballet tashmë me krizë ekonomike

Drejtuesit e Bashkimit Evropian përgatiten sot për një takim të nivelit të lartë për buxhetin që ka ndarë bllokun me 27-vende që përballet tashmë me krizë ekonomike. Takimi dy-ditor hapet zyrtarisht sonte në Bruksel.

Në një betejë që vendos shtetet e pasura kundër atyre që kërkojnë një buxhet më të madh të ndihmës, kryeministri britanik David Cameron ka kërcënuar të përdorë veton nëse nivelet e shpenzimeve rriten. Buxheti i 2007-2013 është 1,28 trilionë dollarë ndërsa buxheti i ardhshëm do të mbulojë shpenzimet deri në vitin 2020.

Buxheti shtatë-vjeçar financon programe për të nxitur bujqësinë dhe rritjen ekonomike në rajonet më pak të zhvilluara të bllokut dhe përbën rreth 1 përqind të prodhimit të brendshëm bruto të BE-së.

Zoti Cameron, nën presion të vazhdueshëm nga skeptikët në partinë e tij konservatore, është mbështetësi kryesor i vendosjes së kufijëve të shpenzimeve. Ai mbështetet nga Hollanda, Suedia dhe në një farë pike edhe nga Gjermania.

Komisioni Evropian, krahu ekzekutiv i BE-së mbështet më shumë shpenzime, duke argumentuar se nismat ndër-kufitare do të ndihmojnë rritjen ekonomike dhe shtimin e vendeve të punës.

16 prej vendeve më të rrezikuara financiarisht dhe ekonomikisht të BE-së kanë bashkuar forcat për të kundërshtuar shkurtimet në fondet e caktuara për rritjen ekonomike dhe zhvillimin. Vendet përfshijë jo vetëm shtetet tradicionalisht të varfra anëtare, shumica në Evropën Lindore, por edhe ato më të goditura nga kriza financiare, si Greqia, Portugalia dhe Spanja.

XS
SM
MD
LG