Lidhje

Buxheti i ri parasheh investime e rritje ekonomike


Qeveria dhe opozita debatuan sot në komisionin parlamentar të ekonomisë mbi projekt-buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm, veçanërisht për rritjen e mëtejshme të borxhit publik. Ministri i financave, Ridvan Bode, duke shpjeguar projekt-buxhetin e ri deklaroi se dy janë qëllimet e tij kryesore; të sigurojë një rritje ekonomike 4 për qind, dhe të vazhdojë investimet publike. Zoti Bode tha që, pavarësisht nga kriza ekonomike në rajon dhe nga afrimi i zgjedhjeve, investimet publike dhe rritja ekonomike do të vazhdojnë me të njëjtin ritëm, pagat dhe pensionet do të rriten me tëj. Sipas tij, “të gjitha do të bëhen pa borxhe të reja, dhe po mbulohen nga shkurtimi i shpenzimeve dhe nga mbledhja më e mirë e taksave dhe të ardhurave brenda vendit pa marrë financime nga jashtë”.



Zoti Bode tha se projekt-buxheti është fokusuar tek rritja ekonomike, edhe pse kriza në rajon po ushtron presionin e saj edhe në Shqipëri. Ai tha se niveli i borxhit është mbajtur nën kontroll dhe treguesit makroekonomikë janë të qëndrueshëm.

Por opozita shprehu shqetësim për rritjen e mëtejshme të borxhit publik në 62,6 për qind nga qeveria, duke tejkaluar dhe hequr fare madje kufirin maksimal të deritanishëm prej 60 për qind. Deputetja socialiste, Mimi Kodheli tha se “ekonomia është në gjendje të vështirë dhe mbi të po rëndojnë borxhe të reja dhe të vjetra, borxhe të dukshme dhe të fshehura, ndaj bizneseve vendase e të huaja, për punë publike të kryera dhe të papaguara”.

Projekt-buxheti parashikon investime sa 5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, gjë që opozita e sheh me shqetësim se do të rritet më tej pa kufizim niveli i borxhit publik. Banka Botërore dhe FMN kanë parashikuar një rritje ekonomike të papërfillshme për Shqipërinë vitin tjetër, vetëm 0,5 për qind dhe u kanë kërkuar autoriteve që të ulin sa më parë nivelin e borxhit publik, i cili është afër tavanit ligjor prej 60 për qind.
Ato madje kanë sugjeruar që të hiqet dorë nga rritja e pagave dhe pensioneve në kohë krize dhe një pjesë e madhe e parave nga privatizimi i kompanisë Albpetrolit të përdoren për të shlyer borxhet, të cilat po frenojnë investimet e huaja dhe kompanitë prodhuese.
XS
SM
MD
LG